Opozita parlamentare e prerë me ambasadorët: Nuk votojmë për pazare, kemi 39 vota

Tre kryetarët e opozitës parlamentare ishte sot në rezidencën amerikane për t’i komunikuar ambasadores së SHBA dhe ambasadorit te BE-së votën kundër Kodit te ri zgjedhor, nëse nuk plotësohen tre kushtet për të cilat kanë qëndruar në Kuvend.
“Ishte takim miqësor me ambasadoren e SHBA-së dhe ambasadorin e BE-së. Në emër të tre grupeve parlamentare të opozitës shprehëm qartë dhe prerë votën kundër pazarit të pistë të atyre që kanë marrë peng zgjedhjet prej 25 vitesh dhe kanë dhunuar kutitë e votimit me militantë partiakë. U thamë nuk votojmë asnjë lloj pazari te dosjes 184. Kërkojmë lista të hapura, administratë zgjedhore jo politike dhe votë emigrantësh ndryshe nuk votojmë të 39 deputetë”, u shpreh Myslim Murrizi në një prononcim për median sa doli nga takimi ne rezidencen amerikane
Takimi u mbajt në rezidencën e ambasadës amerikane një ditë pas arritjes së marrëveshjes për reformën elektorale nga keshilli politik.
Më 4 qershor opozita parlamentare i dërgoi një letër ambasadorëve ku shprehej se nuk do ta votojë kodin e ri zgjedhor nëse shumica në kuvend nuk do të krijojë kushte dhe garanci për një dialog serioz për kalimin nga listat e mbyllura tek ato të hapura.
Më tej shkruhet se përjashtimi i plotë i opinioneve të larmishme i opozitës parlamentare është fyes. Ndërsa mbrëmë Rudina Hajdari, deputete e opozitës parlamentare u shpreh se firmosi marrëveshjen për të mos penguar integrimin e Shqipërisë drejt BE.
Në takimin e sotëm ishin 3 kryetarët e grupeve parlamentare Myslim Murrizi, Edmond Stojku dhe Nimet Musai dhe përfaqësuesja e opozitës parlamentare në Komisionin e Reformes Zgjedhore, Rudina Hajdari, Ralf Gjoni dhe ambasadori i BE-së, Luigi Soreca.