Paratë e politikanëve shqiptarë, Shabani: Mjafton të shohim ku jetojnë e shkollohen fëmijët e tyre

Sa para kanë politikanët shqiptarë? A reflektojnë deklaratat e pasurive të tyre, ato të mira materiale që ata kanë?
Aktivisti Endrit Shabani thotë se për të kuptuar se sa të pasur janë politikanët tanë, mjafton të shohim se ku jetojnë dhe shkollohen fëmijët e tyre.
Shabani thotë se politikanët shqiptarë shtëpitë i ndërtojnë në kodra, ku thithin ajrin e pastër, ndërs populli vuan pasojat e vendimeve të tyre.
Pjesë nga debati në emisionin “Opinion”:
Endrit Shabani: Politikanët i çojnë paratë jashtë. Mjafton të shohësh ku jetojnë fëmijët e tyre, si jetojnë fëmijët e tyre në Europë. Ne e shohim ku banojnë politikanët shqiptarë, në majë të kodrës, thithin ajrin e pastër. Fëmijët i çojnë në shkollat më të mira jashtë, ndërkohë që këtu bëjnë ligjet e arsimit. Këta duhet të vuajnë pasojat e vendimeve të tyre. Minimumi që duhet të bëjë një kryetar bashkie është të jetojë në qytetin që ai menaxhon. Sepse është jo normale që ne të thithim ajrin e ndotur ndërsa fëmijët e tyre shijojnë paratë e korrupsionit. Këta po t’i shikosh të gjithë, paratë ua mbajnë gratë. Gjëja konkrete është shtëpia e tyre, i justifikojnë dot me rroga këta?
Artan Hoxha: Në media doli deklarata e pasurisë së një kryetari Bashkie, dhe e vunë në siklet. Më mori në telefon dhe tha ore si i bëhet në këto raste? Deklaratën e tij e plotësonte një inspektor i ILKDPI-së, pra ai që duhet ta kontrollonte ia plotësonte vetë. Ky që e ka detyrë me ligj ta kontrollojë, ia plotësonte në atë formë që kur të vinte ai për ta kontrolluar ta kishte plotësuar vetë.