Për çfarë bëjnë si të habitur zyrtarët e institucioneve pas dëmtimit të kolonave në Apolloni?

Nga Marin Mema
Për çfarë bëjnë si të habitur zyrtarët e institucioneve pas dëmtimit të kolonave në Apolloni ?
Kjo po ndodh prej dekadash pa rreshtur në masën dërrmuese të vendeve arkeologjike në Shqipëri.
Gërmohen e dëmtohen nga ilegalët që nga varret mbretërore ilire në Selcë të Mokrës, tek “Hija e Korbit” në Maliq, në Persqop të Tiranës, në Albanopoli, në Nikaia të Mallakastrës, në Amantia, Drisht, Nepravishtë, Grazhdan e kudo…
Sa ura të vjetra janë shkatërruar nga kërkuesit ilegalë ? Sa mure kështjellash janë mbështjellë në vetëvete nga abuzuesit ? Sa objekte arkeologjike janë trafikuar dhe po vazhdojnë të trafikohen ? Sa politikanë shqiptarë kanë në shtëpitë e tyre të tilla ?
Forca dhe paprekshmëria e këtyre grupeve ka arritur deri aty sa shkatërrimi të zbresë edhe në Apolloni, por në fakt e gjithë Shqipëria po masakrohet nga barbarë grabitës të cilëve nuk u hyn asnjë gjemb në këmbë.
E gjithë skema e mbrojtjes dhe ndalimit të tyre ka dështuar !! Ky është thelbi dhe rasti më i fundit në Apolloni dëshmon pikërisht këtë !! Trashëgimia kulturore është vënë përposht nga grupe të strukturuara ku bëjnë pjesë shqiptarë e të huaj !!
Pa goditur këto grupe asgjë nuk ndryshon. Asgjë. Këto vende i mbijetuan shekujve, por nuk po i mbijetojnë dot barbarisë, korrupsionit, krimit dhe lidhjes me shtetarët. Pra nuk ka nevojë të bëjnë sot si të habitur, prekur e revoltuar sepse kemi mëse një dekadë qe e sjellim përmes reportazheve e dokumentarëve atë që po ndodh… Sot reagojnë për sy e faqe, vetëm për sy e faqe. TURP !