S’keni asnjë ide se ku mund ta kaloni fundjavën? Shkoni në Novosejë! (FOTO)

Keni qenë ndonjëherë në fshatin Novosejë të Kukësit? Nëse jo, atëherë nxitoni! Është një fshat që ndodhet në Njësinë Administrative të Kukësit dhe deri atje mund të arrihet shumë lehtë pasi rruga është e shtruar. Të takosh njerëz në këtë zonë, është pak e vështirë. Fshati është braktisur nga të rinjtë, të cilët kanë emigruar për një jetë më të mirë, kryesisht në Angli, Itali, Belgjikë, por edhe në Tiranë. Ata që kanë mbetur merren kryesisht me blegtori, kultivimin e patates së famshme, apo edhe me bletari.
Pyjet e paprekura dhe livadhet shumëngjyrëshe
Novoseja është e mbuluar nga gjelbërimi. Mështekna është mbretëresha e pyjeve të pacenuara nga banorët. Por në këtë fshat gjenden sipërfaqe të pafundme me ah dhe dushqe shekullore. Banorët e zonës nuk i kanë dëmtuar pyjet, por i kanë ruajtur me fanatizëm. Novoseja shtrihet në një pllajë pranë vargmaleve të Sharrit është e famshme për livadhet me lule shumëngjyrëshe. Nuk besoj se një bukuri të tillë mund ta gjeni në fshatra të tjerë.
Ujërat e kristalta
Burimet ujore në këtë zonë janë të shumta dhe shquhen për ujëra të kristalta. Ka disa përrenj, por ajo që të trishton më së shumti është fakti se HEC-et, i kanë përvetësuar këto basene ujore, duke dëmtuar faunën dhe florën përreth. Në pyjet e gjera të mështeknës, ahut dhe dushkut strehohen kafshë të egra, si lepuri, ujku, dhelpra, çakalli, ariu i murrmë, e të tjerë. Kaprolli dhe derri i egër janë të zakonshëm në këto pyje. Rezervuari i Novosejës veçanërisht është shumë i bukur; një vend fantastik për piknik dhe peshk të pastër. Gjatë stinës së verës, kryesisht në muajin gusht popullohet nga të rinjtë që kthehen nga emigrimi.
Turizmi
Vitet e fundit kjo zonë po frekuentohet më së shumti nga turistët e huaj. Kjo për ata shërben si një aventurë në natyrë të virgjër. Pëlqejnë gjelbërimin, freskinë, ajrin e pastër dhe bukurinë përrallore të zonës. Shumë prej të huajve, preferojnë që të rikthehen sërish, për të përjetuar të njëjtat emocione. Ushqimi bio është shija që atyre iu mbetet në mendje dhe të rrallë janë ata që largohen pa marrë me vete një kavanoz me mjaltë lulesh. Në zonë ka disa banesa akomoduese, por gjithashtu mund ta kalojnë natën nën qiellin e hapur të livadheve të famshme. Mjafton që të keni siguruar ushqimin dhe ujin më parë për të fjetur në çadër kampingu. Duhet patur kujdes se zona është e populluar mjaft nga kafshët e egra, si ariu, ujku apo gjarpërinjtë. Shtimi i kafshëve të egra ka ardhur edhe për shkak të moratoriumit të kafshëve nga Ministria e Mjedisit. Ky vendim ka sjellë një impakt mjaft pozitiv në shtimin e tyre.