Studentët e Masterit në Ekonomik prej një viti pa diploma!

Nuk mbarojnë çudirat në institucionet e arsimit të lartë, ku konfliktet ndërmjet Rektorit dhe Dekanit po mbajnë peng diplomat e qindra studentëve të Fakultetit Ekonomik në Universitetin e Tiranës.
Ndonëse kanë një vit që kanë përfunduar studimet e ciklit të dytë “Master profesional”, si dhe “Master shkencor”, studentët e këtij fakulteti, ende nuk janë pajisur me diplomat përkatëse të studimeve të kryera. Sa i takon këtij ngërçi, paraditen e djeshme rreth 150 studentë të ciklit të dytë në Fakultetin e Ekonomisë kanë dorëzuar një peticion pranë Rektoratit të Universitetit të Tiranës, ku kërkojnë që të pajisen më kartonin e diplomës. Nëse kjo nuk ndodh brenda dhjetë ditëve të ardhshme, studentët bëjnë me dije se do t’i drejtohen organeve gjyqësore për zgjidhjen e mëtejshme të kësaj problematike, e cila po mban peng aplikimet e tyre për punë dhe angazhime të tjera karriere.
Studentët bëjnë me dije se prej më shumë se një viti po përballen me një situatë absurde dhe të paligjshme, ku edhe pse kanë përmbushur të gjitha detyrimet sipas Ligjit, Statutit dhe Rregullores së Universitetit të Tiranës, ky i fundit refuzon pajisjen e tyre me diplomat përkatëse.
“Studentët kanë përfunduar ciklin Master në vitet 2017 – 2019, kanë paguar tarifën e plotë të masterit dhe tarifën e kartonit të diplomës, por prej një viti nuk ju vihet në dispozicion diploma, e cila është dokumenti që certifikon edhe dijet e tyre. Askush, dhe për çfarëdo arsye, nuk ka të drejtë të mbajë peng karrierën dhe të ardhmen tonë profesionale, për dëshirat dhe ambiciet e tij personale”, shprehet Ines Mulellari, ish-studente Masteri.
Sipas saj, lidhur me kërkesën e tyre për pajisjen me diploma të ciklit të dytë të studimeve, studentët kanë informuar në mënyrë të vazhdueshme Rektoratin e Universitetit të Tiranës, Dekanatin e Fakultetit të Ekonomisë dhe Qendrën e Shërbimeve Arsimore. Pavarësisht, përpjekjeve të tyre nga ana e institucioneve të mësipërme nuk ka pasur asnjë reagim zyrtar apo institucional, për t’i dhënë zgjidhje përfundimtare kësaj problematike. Në mbrojtje të studenteve ka dalë edhe Qëndresa Qytetare e cila ka bërë apel ndaj drejtuesve të universitetit që të mos mbajnë peng të ardhmen e studenteve për shkak të mosmarrëveshjeve personale mes tyre. “Në rast se studentët nuk do të pajisen me diplomat e studimeve brenda afatit 10 (ditor) nga momenti i dorëzimit të këtij peticioni, ne së bashku me studentët do të ndërmarrim të gjithë hapat e nevojshëm ligjor, hetimor dhe gjyqësor për vendosjen në vend të drejtës tonë, të cenuar padrejtësisht, u shpreh Marash Logu, përfaqësues i Qëndresës Qytetare.
Ngërçi me diplomat!
- Ligji dhe udhëzimet parashikojnë se institucionet e arsimit të lartë duhet të dërgojnë pranë Qendrës së Shërbimeve Arsimore (QSHA) listën e studentëve të regjistruar në vitin akademik. Kjo qendër brenda një afati të caktuar duhet t’i kthejë universiteteve listën e studentëve të dërguar së bashku me numrin e matrikullimit.
- Në rastin konkret, Fakulteti i Ekonomisë pranë Universitetit të Tiranës nuk i ka përcjellë listën e studentëve të regjistruar në ciklin e dytë të studimeve në vitin akademik 2017 -2018, Rektoratit të Universitetit të Tiranës, i cili më pas do t’ia përcillte QSHA, por ia ka dërguar drejtpërdrejtë QSHA-së. Kjo e fundit ka pajisur studentët me numrat e matrikullimit, ndërsa ka kërkuar që për disa studentë të plotësoheshin disa informacione shtesë. Rezulton se Rektorati ka plotësuar të dhënat shtesë për disa studentë dhe ia ka përcjellë zyrtarisht QSHA-së, e cila ka bërë më pas pajisjen me numër matrikullimi edhe për këta studentë.
- Pra, është e qartë se pavarësisht se Fakulteti i Ekonomisë, nuk ka respektuar detyrimin e saj për dërgimin e listës së studentëve të regjistruar pranë Rektoratit të Universitetit të Tiranës, dërgimi në mënyrë të drejtpërdrejtë e ka realizuar qëllimin e ligjshëm, pasi QSHA ka pajisur studentët me numër matrikullimi. Kjo do të thotë që problematika e ngritur nga ana e Rektoratit sa i përket pajisjes ose jo të studentëve me numër matrikullimi nga QSHA nuk përputhet me realitetin, pasi QSHA ka konfirmuar pajisjen e studentëve me numër matrikullimi, dhe nuk ekziston asnjë pengesë për pajisjen e studentëve me diplomat përkatëse.