Thaçi: Barrierat për dialog janë hequr nga Kosova, Serbia s’ka pretekst për vonesa

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka deklaruar se pas heqjes së taksës dhe masës së reciprocitetit nga Kosova, shteti i Serbisë nuk ka më ndonjë pretekst për të vonuar rifillimin e dialogut.
Sipas Thaçit, në këtë çështje, institucionet e Kosovës duhet të zhvillojnë proces gjithëpërfshirës, në bashkëpunim edhe me opozitën. Ndërkohë ka theksuar se presidenti është ai që përfaqëson vendin brenda dhe jashtë.
Thaçi ka thënë se nuk mund të flas për periudhë të caktuar kohore sa i përket mundësisë së rifillimit të dialogut Kosovë-Serbi, por ka shprehur besimin e tij se një gjë e tillë do të ndodh në një të ardhme te afërt.
“Besoj në zotimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës që do të ndërmarrin hapat e duhur në veçanti pas heqjes së të gjitha barrierave që e pengonin fillimin e dialogut Kosovë-Serbi nga ana e qeverisë së Kosovës, tash Serbia nuk e ka asnjë pretekst, përkundrazi çdo vonesë i atribuohet asaj. Roli i presidentit të vendit është ai që ka qenë gjithmonë, presidenti i vendit përfaqëson vendin brenda dhe jashtë, dhe ai që e lexon Kushtetutën dhe e di këtë rol shumë qartë, përgjegjësia dhe hierarkia institucionale e Kosovës është e qartë mbi çdo aspiratë, ego apo injorancë”, tha Thaçi.