Tirana pa transport publik, Veliaj: Dilni në punë ose do ju hiqet licenca, reagon Shoqata
Pas paralajmërimit se do tu hiqet licenca nëse nuk rifillojnë punën, vjen dhe reagimi i Shoqatës së Transportit Publik. Ata thonë se nuk do fillojnë punën deri në ndryshimin e protokollit dhe se ky është një kusht i panegociueshëm për ta.
Në një mbledhjen që kanë zhvilluar sot, ata i kthyen përgjigje edhe kryebashkiakut Veliaj, duke thënë se nuk mund tu hiqet licensa pasi janë kontribues të rregullt dhe paguan tatimpagimin.
Veliaj sot u bëri apel kompanive që operatojnë në transportin urban të rikthejnë shërbimin ndaj qytetarëve:
“Është jashtëzakonisht e rëndësishme që linjat të kuptojnë se kur kanë pasur nevojë për bashkinë, Bashkia ka qenë me ta. Kur kompanitë kanë pasur të drejtë, si në rastin e pandemisë, dhe hoqëm taksat, apo siç ishte rasti i mostaksimit të çdo autobusi, por vetëm një herë të kompanisë, që prapë dakordësuam dhe u dhamë të drejtë, ashtu duhet që ata t’i rikthehen shërbimit. Ajo që thonë disa kompani, se do e mbajnë licencën private, derisa të më dalë mua llogaria, nuk shkon sepse ajo licencë do të hiqet sepse s’po na del llogaria neve si qytetarë”.
Ai tha se Bashkia e Tiranës ka nisur monitorimin e frekuencës së autobusëve:
“Këto tre ditë do t’i ndjek personalisht frekuencat. Kush nuk i realizon, le të shkojë në shtëpi të vajosë jahtin e tij, të shkojë me pushime; por, Tiranën nuk e mban dot peng. Nëse familjet tona, industria, të gjitha kompanitë, mbajtën një barrë të vështirësisë gjatë pandemisë, kjo lipset ta mbajnë edhe kompanitë e autobusëve. Do më kenë në krah teksa negociojmë me qeverinë edhe për rimbursimet e mundshme dhe për lehtësira të tjera, vetëm nëse fillimisht më japin të besoj që ata nuk e marrin për të mirëqenë mirësinë tonë, por që e marrin seriozisht afatin, urdhrin dhe ligjin për t’iu rikthyer punës”.
Protokolli që ka njoftuar për autobusët Ministria e Shëndetësisë është ky:
1. Numri i udhëtarëve do të lejohet me kapacitet 70%.
2. Ulja e udhëtarëve do të jetë në mënyrë diagonale.
3. Drejtuesi i mjetit duhet të ketë maskë mbrojtëse dhe doreza.
4. Udhëtarët detyrimisht me maska dhe doreza.
5. Hipja dhe zbritja do të bëhet në dyer të ndryshme.
6. Nëse udhëtari shfaq shenja të Covid-19, shoferi do duhet të njoftojë 127.
7. Duhen dezinfektuar makinat.
8. Gjatë udhëtimit duhet ajrosur makina.
9. Në terminal duhet zbatuar distancimi.
10. Terminali të dizinfektohet.
11. Në mjete të vendosen postera kundër përhapjes covid-19.
12. Të respektohen masat e higjienës.
13. Masat e parashikuara do të kontrollohen nga kompetencat përkatëse
Kërkesat e Shoqatës janë këto:
1.Heqja e akcizës për blerjen e naftës nga shoqëritë e transportit publik.
2.Njohjen e shpenzimit të zbritshëm 100%, për naftën pasi është lënda jonë e parë.
3.Subvencionimin me 50% të ngarkesës direkt në llogaritë e shoqërive të transportit publik duke marrë parasysh lejen e udhëtimit për të kuptuar sa kapacitet ka mjeti.
4.Zbritja e TVSH-së në shitje nga 20% në 0% për vitin 2020 dhe rikthimin e tij në nivelet e sektorit të turizmit 6% pasi edhe transporti është një nga hallkat e tij.
5.Faljen e taksave vendore të mjeteve për vitin 2020
6.Të merren masa urgjente nga organet e Ministrisë së Punëve te Brendshme dhe Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, për luftimin e transportit të udhëtarëve me mjete informale i cili ka lulëzuar gjatë pas pandemisë.
Ministria e Infrastrukturës ka bërë me dije se janë marrë këto vendime, duke plotësuar dy nga kushtet.
• Njohja si shpenzim i zbritshëm të 100% të konsumit të naftës, nga 43% që ishte deri më sot, me një efekt prej rreth 7 milionë dollarësh në buxhetin e shtetit;
• Heqja e të gjitha taksave dhe tarifave vendore për subjektet e transportit publik, deri në 31 dhjetor 2020.
Vetëm linja Ndroq-Tiranë kryen shërbimin aktualisht. Po ashtu transporti në rrethe ka nisur aktivitetin.