Tirana pa ujë në fundjavë, ja arsyeja dhe si do furnizohen spitalet dhe burgjet

Kryeqytetasit duhet të marrin masat për fundjavën, pasi Tirana do të ketë kufizime në furnizimin me ujë. Zv/drejtoresha e përgjithshme e UKT, Evis Gjebrea e shpjegoi këtë me punimet që do nisin për lidhjen e linjës së transmetimit të Ujëmbledhësit të Bovillës me Impiantin e trajtimit të ujit në Bovillë dhe kjo do shkaktoj ndërprerjen e ujit.

“Kjo është një linjë, e cila do të transmetojë dyfishin e kapacitetit që transmetohet aktualisht deri në impiantin e përpunimit të Bovillës. Në impiant aktualisht prodhohet 1800 litra për sekond ujë dhe me këtë shtesë të kapacitetit do të shkojmë në 2400 litra/sec. Do të jetë e gjithë Tirana e cila do të ketë kufizime të furnizimit me ujë. Ne kërkojmë mirëkuptimin e qytetarëve pasi punimet do të fillojnë herët në mëngjes ditën e shtunë dhe pritet që të vazhdojnë edhe ditën e diel. Të marrin masa për të depozituar, për të patur depozitat e mjaftueshme gjatë këtyre dy ditëve që do të kryhen punimet”-tha Evis Gjebrea.

Gjebrea tregon se janë marrë masat për të siguruar furnizim të qëndrueshëm, gjatë fundjavës, për institucione të rëndësisë së veçantë.

“Ujësjellësi i Tiranës ka marrë të gjitha masat e nevojshme për të siguruar furnizim të qëndrueshëm, gjatë fundjavës, për institucione të rëndësisë së veçantë si spitalet, urgjenca mjekësore, burgjet etj”-u shpreh zv/drejtoresha e përgjithshme e UKT. Punimet do të nisin që në orët e para të mëngjesit të ditës së shtunë. Ndaj dhe qytetarët duhet të përgatiten për mungesë të ujit gjatë fundjavës.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT