Topalli “shuplakë” Bashës: Dështak e manipulues si Enver Hoxha

Ish-kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Jozefina Topalli ka shpërthyer dje në akuza dhe sulme të forta në adresë të kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha. Shkak është bërë një video e publikuar nga ish-deputeti demokrat, Endri Hasa në “Facebook, i cili akuzon kryeministrin Edi Rama si dështak që po pengon integrimin e vendit dhe ngre në qiell me lëvdata duke i atribuuar të gjitha arritjet ndër vite të vendit, Lulzim Bashës.

Por ky postim ka sjellë reagimin e ashpër të ish-nënkryetares së PD, Jozefina Topallit, e cila përmes një postimi në rrjetet sociale, e ka e cilësuar zotin Basha si “minë” me sahat që ndërronte ministritë çdo dy vite prej skandaleve që shkaktonte, ndërsa gjithashtu e akuzon liderin demokrat si manipulues i fakteve njësoj si ish-diktatori Enver Hoxha.

Madje, akuzat e forta të Topallit nuk ndalen ndaj Bashës, duke thënë me ironi se “të gjithë kanë fjetur gjumë” dhe vetëm ai ka punuar në gjithë këto vite, pasi sipas saj, Basha i ka bërë të gjitha ashtu siç ka premtuar duke bërë edhe “tramvajin” kur ishte kryebashkiak i Tiranës. “Një dështak, manipulator si Enver Hoxha! Kështu manipulonte Enver Hoxha historinë, për të manipuluar mendjet e njerëzve.

Fshinte dhe censuronte çdo fytyrë dhe emër personaliteti nga fotoja dhe historia, për të thënë se historia jam Unë. (Fotot më poshtë janë në ballkonin e Bashkisë Shkodër. E. Hoxha heq pjesëmarrësit, duke filluar nga Gjergj Fishta). Në 2020 , me video në Facebook kunati në emër të partisë që rrëzoi partinë e Enver Hoxhës bën të njëjtën gjë”, shkruan ndër të tjera zonja Topalli në rrjetet sociale, shoqëruar me videon e publikuar nga ish-deputeti demokrat, Endri Hasa.

Pak ditë më parë ish-kryeparlamentarja Jozefina Topalli ka shpërthyer sërish në akuza kundër kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha. Me anë të një postimi në “Facebook”, Topalli theksoi se Basha, për sa kohë ka marrë drejtimin e PD, vetëm e ka shkatërruar partinë dhe ëndrrat e demokratëve. Sipas Topallit, ka ardhur koha që kjo gjë të marrë fund dhe që Basha të largohet nga drejtimi i PD. Për demokraten, vetëm në këtë mënyrë mund të rrëzohet kryeministri Edi Rama.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT