Turqia rikthen fluturimet ajrore me 40 shtete brenda muajit qershor, përfshi dhe Shqipërinë

Turqia planifikon të rikthejë fluturimet ndërkombëtare me rreth 40 shtete në muajin qershor dhe deri më tani ka arritur marrëveshje paraprake me 15 shtete, ka thënë Ministri turk i Transportit, Adil Karaismailoglu.

Fluturimet e brendshme janë rikthyer të hënën në disa provinca, teksa Ankaraja ka lehtësuar kufizimet pas rënies së numrit të të infektuarve.

Karaismailoglu ka thënë se fluturimet do të rikthehen në pesë faza në muajin qershor, duke shtuar se Turqia është duke zhvilluar bisedime me 92 shtete për rikthim të udhëtimeve në mënyrë të sigurt.

“Ne besojmë se kemi lënë mbrapa një pikë të rëndësishme në betejën kundër virusit global. Tani duhet të vazhdojmë lidhjet tona globale ashtu sikurse tregtinë”, ka thënë ai në një deklaratë të shkruar.

“Që nga 10 qershori planifikojmë të fillojnë gradualisht fluturimet me 40 shtete ndërsa me Shqipërinë nga 22 qershori”, shtoi Karaismailoğlu i cili vuri në dukje se janë arritur dakordime paraprake me 15 vende lidhur me fazën e hapjes së ndërsjellë të fluturimeve të jashtme.

“Bashkëpunimi ynë vazhon me 92 vende për fluturimet jashtë vendit. Me institucionet dhe vendet po bisedojmë për zhvillimin e fluturimeve të sigurta. Aktualisht kemi arritur dakordim për fluturimet e jashtme me Republikën Turke të Qipros Veriore, Austrinë, Lituaninë, Serbinë, Kazakistanin, Shqipërinë, Bjellorusinë, Emiratet e Bashkuara Arabe, Moldavinë, Uzbekistanin, Ukrainën, Marokun, Jordaninë, Sudanin dhe Italinë”, tha Karaismailoğlu.

Gjermania ka thënë të mërkurën se është duke biseduar me Ankaranë për të rishikuar kufizimet në udhëtime, mirëpo është duke pritur një rekomandim nga Bashkimi Evropian.

Në gjithë Turqinë, me koronavirus janë infektuar më shumë se 165,000 persona. Prej tyre, 4,609 kanë vdekur.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT