“Venecia” i jep të drejtë Metës: Asnjë shkelje në emërimet për Gjykatën Kushtetuese

Komisioni i Venecias ka publikuar opinionin për emërimet në Gjykatën Kushtetuese, ku duket se justifikon veprimet e Presidentit Meta dhe i jep të drejtë faktit që nuk pranoi betimin e Arta Vorpsit, e cila u zgjidh automatikisht nga mekanizmi zhbllokues.
Në pikë ’98’ të opinionit të Venecias shkruhet se “Presidenti vërtet e pezulloi procesin në mënyrë të njëanshme por në mungesë të boshllëkut ligjor që ndodhi me Gjykatën Kushtetuese, mekanizmi zhbllokues nuk do ishte i zbatueshëm. Është e justifikueshme të pranohet emërimi i mëvonshëm i një kandidati të dytë nga Presidenti.
Prandaj duket e arsyeshme që Presidenti refuzoi të pranonte betimin e gjyqtares që pretendon se u emërua automatikisht”
“98. Presidenti, përmes Aktit të tij të 5 nëntorit 2019, pezulloi në mënyrë të njëanshme procedurën e emërimit para skadimit të afatit 30 ditor të përcaktuar në ligj. Ndërsa një pezullim i tillë nuk parashikohet në mënyrë eksplicite nga Ligji për Gjykatën Kushtetuese, ai mund të jetë në përputhje me një mekanizëm zhbllokues që ka për qëllim zhbllokimin e një situate kur ka mosveprim ose vullnet dashakeq nga njëri prej aktorëve të përfshirë. Nëse nuk ka as vullnet dashakeq dhe as mosveprim, por përkundrazi duhet të plotësohet një boshllëk ligjor, ku mekanizmi zhbllokues nuk do të ishte i zbatueshëm. Ndaj, në bazë të një interpretimi teleologjik të dispozitave ligjore, është e justifikueshme të pranohet emërimi i mëvonshëm i një kandidati të dytë nga Presidenti. Prandaj duket e arsyeshme që Presidenti refuzoi të pranonte betimin e gjyqtares që pretendon se u emërua automatikisht.”– shkruhet në raport.
