VIDEO: “Një fluks i shtuar qytetarësh në Infektiv si pasojë e simptomave të rënda të Covid-19”, Manastirliu del me thirrjen e fortë për qytetarët

Në përditësimin e të dhënave të 24 orëve të fundit, Ministria e Shëndetësisë njoftoi se ka shkuar në 82 numri i pacientëve të prekur nga COVID-19 që janë shtruar në spital.
Për këtë rritje të numrit të të shtruarve në spital ka reaguar edhe ministrja Ogerta Manastirliu, e cila bën të ditur se ka një fluks të shtuar qytetarësh që kanë nevojë për trajtim mjekësor si pasojë e simptomave të rënda të COVID-19.
Manastirliu ka publikuar mesazhin e mjekes së Infektivit, Nevila Gjermeni, e cila ka një thirrje të fortë për të gjithë qytetarët.
“Mjekët dhe infermierët e spitalit infektiv po përballen me një fluks të shtuar qytetarësh që kanë nevojë për trajtim mjekësor si pasojë e simptomave të rënda të COVID19. Nuk është asnjëherë e tepërt lutja e tyre për më shumë kujdes! Ju lutem dëgjoni apelin e dr. Nevila Gjermenit, e cila prej më shumë se 3 muajsh është çdo ditë në vijën e parë të përballjes me COVID19”, shkruan Manastirliu krahas mesazhit të doktoreshës së Infektivit.