“Vuçiç ka një Parlament njëngjyrësh, ka deputetë më shumë se Putin apo Erdoğan”- Ditmir Bushati: Nuk ka më alibi për Kosovën. Çfarë duhet të na shqetësojë për…

Duke komentuar zgjedhjet e fundit në Serbi, ku partia e presidentit Aleksandër Vuçiç fitoi një shumicë absolute ndërsa pjesa më e madhe e partive të opozitës i bojkotuan votimet, ish-ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati, thotë se presidenti serb nuk ka alibi për moszgjidhjen e çështjes së Kosovës.
Sipas tij, pavarësisht se shqiptarët në Luginën e Preshevës kanë dy deputetë në Parlamentin serb, kjo nuk ka shumë vlerë në një Parlament me shumicë absolute nga partia e Vuçiçit, duke shtuar se një numër të tillë votash në Parlament nuk i ka as presidenti rus Vladimir Putin dhe as ai turk, Rexhep Taip Erdoğan.
Reagimi i plotë i Bushatit: “E para ne kemi të drejtën të analizojmë skenarë të ndryshëm, por populli serb përcakton udhëheqësit e tij. Pra ne mund të na pëlqejë, mund të mos na pëlqejë një udhëheqës i caktuar në Serbi, por është përgjegjësi e popullit serb për të vendosur se kush duhet të udhëheqë Serbinë. Sot është e vërtetë se me këto numra që do të ketë në Parlament, Vuçiçi nuk ka alibi për moszgjidhjen e çështjes së Kosovës apo për një shpejtësi apo një cilësi tjetër në procesin e dialogut.
Por nga ana tjetër, jemi në rastin tipik kur Serbia është futur në të ashtuquajturin proces të evropianizimit, por pa u demokratizuar. Pra u duk që pas rënies së regjimit të Miloshevicit dhe pas fitores së forcave përparimtare në Serbi do të kishim një etapë, pra do të kishim një faqe të re të historisë.
Kujtojmë këtu edhe idetë progresiste të kryeministrit Gjingjiç, por shohim që kemi një parlament njëngjyrësh. Ndaj nuk mendoj se duhet të jemi fort të gëzuar edhe për plotësimin e tekave që mund t’i bëjnë grupe të caktuara Vuçiçit.
Për sa i përket asaj që ngjau në Preshevë, mendoj se çdo unifikim i faktorit shqiptar në Preshevë duhet të vazhdojë të mbështetet. Është e rëndësishme që të kuptohen principet mbi të cilat mbështetet faktori politik atje. Kujtoj këtu që ne kemi punuar me faktorin politik shqiptar në Maqedoninë e Veriut dhe i kemi bërë së bashku rreth një plaftorme që në thelb synonte avancimin e të drejtave të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut, proces që ndodhi.
Në rastin e Preshevës është mirë që të shihet shumë ky element sepse është shumë më i rëndësishëm se sa numrat në një parlament aktual siç është parlamenti serb, të cilat nuk kanë rëndësi. Në një Parlament, ku më shumë se 2/3 i ka presidenti Vuçiç, praktikisht ka më shumë seç ka presidenti Putin, ka më shumë seç ka kryeministrin Orban , ka më shumë seç ka presidenti Erdogan. I vetmi udhëheqës sot për sot më fuqiplotë se presidenti Vuçiç në hapësirën euroaziatike është presidenti bjellorus Lukashenko dhe në këtë kuptim të diskutosh për numrat që dikur kanë qenë dy dhe më pas një dhe sot janë tre, është më pak e rëndësishme se sa platforma për ruajtjen dhe kultivimin e komunitetit shqiptar në Luginën e Preshevës. Dhe kur flasim për Luginën e Preshevës, duhet të kemi parasysh që janë tre komuna, nuk është vetëm Presheva dhe situata nuk është e njëjtë sa i përket unitetit të faktorit shqiptar atje pikë së pari dhe së dyti sa ka lidhje me respektimin e lirive dhe të drejtave dhe mbi të gjitha identitetit të shqiptarëve në Luginë, proces që do të duhet të vazhdojë qoftë me avancimin e Serbisë në procesin e integrimit evropian dhe proces që ne do të duhet ta demonstrojmë edhe përgjatë kryesisë shqiptare të OSBE-së duke qenë se një komponent i rëndësishëm i organizatës ka lidhje me të drejtat e pakicave”.