101 viktima nga koronavirusi/ Në Durrës, njerëzit grumbull dhe pa maska për fondet e tërmetit (VIDEO)

Dhjetëra qytetarë në Durrës janë mbledhur në dyert e Zyrës për Rindërtimin për të dorëzuar dokumentet për përfitimin e fondeve në lidhje me dëmet që shkaktoi tërmeti tragjik i 26 nëntorit të vitit të kaluar.

Siç mund ta shihni në videon e mëposhtme skena është shqetësuese, teksa qytetarët kanë rrezikuar jetën e njëri-tjetrit, pasi nuk mbanin distancë fizike, ndërsa një pjesë e tyre ishin edhe pa maska.

E mërkura është dita e fundit e aplikimit të rihapur për dëmet nga tërmeti, ndaj rradhët pranë Zyrës së Rindërtimit janë shtuar ndjeshëm.

Pavarësisht thirrjeve nga ana e policisë për zbatim masash për distancimin fizik apo të protokolleve shëndetësore, kjo dukej krejtësisht e pamundur.

Qytetarët detyrohen të presin në radhë për t’u pajisur fillimisht me numra rendorë e më pas me dorëzimin e dokumenteve.

Numrat shpërndahen nga një polic bashkiak me mikrofon nga makina, ndërsa qytetarët aplikojnë sipas radhës sipër shkallëve, aty ku duken edhe njerëz të tjerë.

Edhe natën e kaluar është punuar deri vonë, ndërsa pavarësisht fluksit deri më tani nuk është shtyrë afati i aplikimeve, apo shmangja e grumbullimit të njerëzve përmes hapjes së sporteleve të tjera pranë rajoneve apo njësive administrative ku aplikuesit kanë banesat për të cilat aplikojnë.

Grumbullime të tilla janë një “minë me sahat”, ndërkohë që vendi po përballet me shifra alarmante të të prekurve me koronavirus.

Sot në vendin tonë u regjistruan 4 viktima, mes tyre edhe një vajzë e re 21-vjeçare.

Aktualisht numri i viktimave ka shkuar në 101. (Qarku Tiranë 52, Shkodër 17, Durrës 16, Fier 5, Elbasan 5, Vlorë 2, Kukës 1, Lezhë 1, Berat 1, Dibër 1)

Back to top button
LAJMET E FUNDIT