A negocioi për koalicion të ri në Kosovë? Befason Rama: S’jam aq i zgjuar sa të jap mend

Edi Rama mohoi ndërhyrjen në politikën e brendshme të Kosovës lidhur me koalicionin qeverisës. “E di që ka udhëheqësa që duan të drejtojnë gjithë Ballkanin, unë nuk jam ndër ata, nuk kam asnjë të drejtë dhe natyrisht nuk marr përsipër në asnjë mënyrë që t’ju tregoj miqve, vëllezërve, kolegëve në Kosovë se cfarë duhet të bëjnë për atë që është detyra e tyre në administrimin e jetës politike.
E para nuk mendoj se jam aq i zgjuar sa të jap mend nga Tirana, si të qeveriset Kosova, edhe pse në hapësirën shqiptare ka shumë individë që mund të drejtojnë edhe botën nëse do të kishin disponiliteitin e dëgjimit nga liderët botërorë. Është e drejtë e tyre a e ngushtojnë, a e zgjerojnë qeverinë, a zgjedhin dicka tjetër, kjo është absolutisht e drejta dhe detyra e tyre. Nuk është e drejta dhe detyra ime të jap mend, apo të bëj komente. Unë kam komentuar dhe mund të komentoj vendime të caktuara kur lidhen me marrëdhëniet mes dy vendeve apo interesat e shqiptarëve në aspektin e përballjes me Serbinë në këtë luftë të ftohtë diplomatike” tha ai.
Rama tha se Shqipëria nuk merr vendime për Kosovën, por e mbështet. Ai tha se është trup që BE mban peng një popull që ndalohet të lëvizë lirisht.
“Ne nuk marrim vendime Kosovën, ne nuk flasim në emër të Kosovës, por për Kosovën. Është një turp për BE-në që sot mban peng një popull, i vetmi i marrë peng në kontinentin tonë, që ndalohet të lëvizë lirisht. Si shtet i ka plotësuar të gjitha detyrimet që duhet të plotësojë çdo shtet para se të marrë liberalizimin e vizave. E dimë shumë mirë arsyen, nuk gjendet në Kosovë, apo ndonjë paaftësi të Kosovës për të përmbushur detyrimet, ato janë përmbushur dhe janë njohur nga vetë KE, arsyeja është në Evropë, në politikën e brendshme të BE-së, vendeve të ndryshme, që gjithmonë e më shumë kur marrin vendime për ne, nisen nga kalkulimet për qëndrueshmërinë elektorale të forcave qeverisëse, ky nuk është turp, turpi është që Kosova nuk lëviz e lirë.”