Autor i disa vrasjeve/ Pas Zani Çaushit, kundërshtari i tij hidhet në sulm, i forti i Vlorës kërkon ulje dënimi

Pas Myrteza Çaushit, ose siç njihet ndryshe si “Zani i Vlorës” duket se radha për të kërkuar lirimin me kusht i ka ardhur dhe Gazmend Brakaj që njihet me pseudonimin “Gaxhai”. Ky i fundit sikurse dhe kundërshtari i tij Zani Çaushi, është i dënuar me burgim të përjetshëm dhe vuan dënimin në burgun e Peqinit. Por ndryshe nga Zani, Gaxhai ka dy dënime me burg përjetë, i pari i është dhënë për vrasjen e Ilir Pajës dhe Arben Xhungës, dy shokëve të Lulzim Berishës në Durrës.
Ndërsa dënimi i dytë me burg përjetë i është dhënë për vrasjen e Bashkim Dules, Sadik Kurti, Avdul Bajrami, Dhimitraq Mishka, Zini Haruni, Robert Myftari, dhe policit Viron Rrapaj. Të dyja këto vendime, “Gaxhai” në datën 23 mars 2018 i ka bashkuar në një të vetëm.
“Gaxhai” i është drejtuar gjykatës së Elbasanit me një kërkesë për ulje dënimi në masën 90 ditore. Kërkesa është depozituar në 6 mars 2020 dhe në datën 8 korrik 2020, gjyqtarja e çështjes Miranda Çekrezi, ka vendosur të pushojë gjykimin për uljen e dënimit të “Gaxhait”, për shkak se nuk ishte paraqitur avokati i tij mbrojtës.
Nëpërmjet këtyre kërkesave për ulje dënimi dhe nëse ato do pranohen nga gjykata, “Gaxhait” shumë shpejt i hapet rruga për të kërkuar lirimin me kusht. Kujtojmë se llogaritja e dënimit të “Gaxhait” fillon qysh prej datës 29 qershor 1999, kur është arrestuar në Durrës, vetëm pak momente pas vrasjes së Ilir Paja dhe Arben Xhunga.