Basha e kërcënoi me burg, Rama: Mos humb kohë me dokrra! Të vijojmë punën, e mos harro, s’presim dot gjatë

Pas votimit të ndryshimeve kushtetuese në Parlament, kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, bëri kreun e qeverisë Edi Rama përgjegjës për “koston e konfliktit të krijuar me hedhjen në erë të marrëveshjes së 5 Qershorit dhe 14 Janarit”.
Por menjëherë ka ardhur përgjigja nga kryeministri Rama që në Twitter shkruan se nuk është momenti për të humbur kohë por se duhet të vazhdohet me punën e nisur.
“5 qershorin aty e ke, top në Ligjin Zgjedhor,ku tani duhet të integrojmë edhe 30 korrikun,” shkruan Rama i cili në fund i thotë se “s’presim dot gjatë”.
“Prandaj mos humb kohë me dokrra të vjetra,duke përsëritur po atë avaz që ju ka çuar nga humbja në humbje, po le të vazhdojmë punën e nisur. 5 qershorin aty e ke, top në Ligjin Zgjedhor,ku tani duhet të integrojmë edhe 30 korrikun!Ta bëjmë së bashku e mos harro,s’presim dot gjatë!, shkruhet në statusin e Ramës.
“Vendi yt pas zgjedhjeve të reja është në burg, atje ku shkon çdo individ që me dashje kryen një krim kundër vendit dhe qytetarëve të tij”, tha Basha më herët.