COVID-19 nuk e ndal Sindikatën e Arsimit në Kosovë, dërgon për pushime në Shqipëri 400 mësues

Sindikata e Bashkuar e Arsimit Shkencës dhe Kulturës së Kosovës do të dërgojë në Durrës 400 mësues, të cilët d të kalojnë 5 ditë pushimi në një resort në qytetin bregdetar.

Lajmin e ka bërë të ditur kryetari i SBASHK Rrahman Jasharaj, i cili ka thënë se nisja do të bëhet me dy grupe nga 200 persona.

“Të gjitha vendimet për angazhimet e SBASHK-ut i sjell Këshilli Drejtues që është organi më i lartë i SBASHK-ut në mes të dy kongreseve. Këshilli Drejtues ka vendosur me kohë që të vazhdohet me traditën e filluar para disa viteve për dërgimin e një numri të caktuar të anëtarëve në bregdetin shqiptar. Kësaj radhe ishte një situatë më ndryshe dhe prandaj kemi komunikuar vazhdimisht me kryetarët e nivelit komunal dhe të universiteteve dhe me vetë të përzgjedhurit nga shkollat e njësit akademike, ata janë shprehur se duan të shkojnë në pushime edhe në këto rrethana të reja dhe ne stafi qendror jemi me ta dhe do të bëjmë çmos që të respektohen masat e institucioneve përgjegjëse”, ka thënë Jasharaj.

“Mësimdhënësit janë të ndarë në dy grupe me nga 200 persona. Grupi i parë i mësimdhënësve është nisur sot, aty do të qëndrojnë për pesë ditë ku një ditë pastaj do të pauzojmë për shkak që kompleksi të dezinfektohet, dhe pastaj do të niset edhe grupi i dytë poashtu prej 200 mësimdhënësve”, shtoi ai.

Kujtojmë se shifrat e të infektuarve në vendin tonë janë rritur ndjeshëm në dy javët e fundit, por kjo duket se nuk i ndalon mësuesit kosovarë që të kalojnë disa ditë pushimi në qytetet bregdetare në Shqipëri.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT