COVID 19/ Shqiptarët “xhepshpuar” po shpenzojnë më shumë

Që prej muajit mars, kur edhe Shqipëria u prek nga pandemia globale e koronavirusit, në buxhetin e familjeve shqiptare u shtua dhe një shpenzim më shumë, ai për mbrojtjen nga virusi Covid-19.
Maskat, pas një stopimi të kërkesave përballë të cilave, farmacitë e tregtuan me çmime marramendëse, sot janë rikthyer sërish si këshillë për tu vendosur nga të gjithë,
Në farmacitë e kryeqytetit mund të gjesh maskë që variojnë nga 60 lekë në 500-700 lekë, por që nuk mund të përdoren më shumë se 2-3 herë sipas këshillave të farmacistëve.
Me një përllogaritje të thjeshtë, një familje me 4 anëtarë mund të shpenzojë për maskat 240 lekë deri në 2800 lekë pë 2-3 ditë. Këtyre u shtohen suplementet që rekomandojnë mjekët për të rritur fuqinë e sistemit imunitar me qëllim që të mbrojë organizmin nga një sulm i mundshëm i virusit.
Vitaminat D, C dhe B janë më të duhurat por në farmacitë tona çmimet e tyre shkojnë një paketë mujore 1200-1500 lekë.
Pa harruar dezinfektantët çmimet e të cilave variojnë nga 150 lekë në 600 lekë sipas sasisë së produktit. E përpos këtyre, për të pasur shëndet të mirë që të mbrohemi nga një infeksion viral nevojitet dietë ushqimore e mirë.
Mjekja e familjes Mirela Dhamo në një prononcim për gazetën “Shqip” thotë se në këtë periudhë me rëndësi janë konsumimi i produkteve që ndihmojnë organizmin të jetë i fortë për t’u mbrojtur nga virusi si produktet e qumështit, kosi, mishi i kuq dhe peshku si dhe konsumimi i perimeve dhe frutave të stinës
Por a e përballojnë dot familjet me pak të ardhura këtë dietë ushqimore? Sigurisht që jo. Nëse në periudhën e karantinës shteti mori përsipër furnizimin me ushqime të familjeve në nevojë, sot kjo nismë është harruar.
Shpenzimet vijojnë të jenë të larta, por ndihmat kanë shterur. Kush do mendojë për ta?