Dialogu me Vuçiç, kryeministri Hoti: Marrëveshja do i japë Kosovës atë që i takon

Kryeministri i Kosovës Avdullah Hoti ka reaguar sërish pas takimit me Aleksandar Vuçiç në Bruksel.
Ai shprehet se qeveria e tij në 1 muaj qeverisje arriti që të rikthejë mbështetjen e të gjithëve, kryesisht SHBA dhe BE për njohjen reciproke.
Në një status në Facebook Hoti shprehet se marrëveshja me Serbinë do i japë Kosovës atë që i takon.
Statusi i plotë
Askush nuk duhet të trazohet nga normaliteti që po ndërtojmë, sepse është edhe në të mirën e tyre.
Për një muaj, ne e rikthyem Kosovën aty ku e ka vendin, përkrah miqve tanë ndërkombëtarë. Nga një raport i lënduar me BE dhe SHBA, tani kemi mbështetje nga të gjithë për cakun e dialogut, që është njohja reciproke dhe normalizimi i marrëdhënieve.
Për një muaj, ne hoqëm nga çdo diskutim temën e integritetit territorial të Kosovës, të cilën më nuk e përmend kush.
Me vendosmëri e guxim, ne e evituam rrugën qorre dhe qasjen izoluese dhe morëm përgjegjësitë shtetërore në dialog. Këtë e bëmë pa hezitim pasi udhëhiqemi nga parimi i ruajtjes së integritetit territorial dhe unitaritetit të shtetit, si dhe nga respektimi i plotë i kushtetutshmërisë.
Kjo është qasja jonë në dialog, që është legjitime dhe e vetme. Koha e politikës izoluese dhe e frikës për t’u përballur është tashmë pas nesh.
Parimet e qarta dhe sinqeriteti ynë përballë partnerëve ndërkombëtarë po na mundësojnë ecjen tonë krah tyre dhe po na sigurojnë garancinë për proces dialogues në interesin më të mirë të Republikës së Kosovës dhe qytetarëve të saj.
Kjo do të jetë një marrëveshje që Kosovës i jep atë që i takon, të qenurit e barabartë dhe e integruar në familjen e madhe euroatlantike. Për këtë ka nevojë populli i Kosovës.