Fatos Tarifa: Sektet fetare ose manipulimi dhe indoktrinimi si mjete kontrolli

Fatos Tarifa
“Ata që ju bëjnë të besoni absurditete, mund t’ju bëjnë të kryeni edhe krime” (Volter).
Pjesa II
Në pjesën e parë të kësaj eseje, botuar dje në Dita, nuk do të isha ndalur aq gjatë në përshkrimin e një kulti fetar si “Scientology”, i cili nuk ekziston në vendin tonë (si një komunitet i organizuar dhe i njohur ligjërisht), sikur ai të mos ishte përmendur dy ditë më parë në këtë gazetë. Edhe nëse tragjedia e ditëve të fundit në Tiranë mund të mos ketë―dhe unë besoj nuk ka―lidhje me këtë kult, janë të shumtë sektet dhe kultet fetarë që kanë hyrë dhe veprojnë në Shqipëri pas fillimit të viteve 1990, një pjesë e të cilëve ngjasojnë me të dhe, nga këndvështrimi im, janë gjithashtu shoqërisht shumë të rrezikshëm.
“Dëshmitarët e Jehovait”
Një i tillë është ai që njihet me emrin “Dëshmitarët e Jehovait” (Jehovah’s Witnesses). Kjo kishë, njëlloj si “Scientology”, përmbush, në fakt, kriteret e një kulti, si në përkufizimin sekular, ashtu dhe në atë fetar që i jepet këtij termi. Edhe ky kult, gjithashtu, mund të mos ketë lidhje me ngjarjen tragjike të ditëve të fundit. Përveç hamendësimeve dhe raportimeve të para në media për atë ngjarje, efekti “Jehovah” nuk është provuar. Sidoqoftë, prania e këtij kulti fetar në vendin tonë, propaganda dhe metodat rekrutuese që ai përdor, si dhe pjesëmarrja në veprimtaritë e tij e disa mijëra njerëzve të painformuar sa e si duhet për të, më shtyjnë të them disa fjalë.
Ngjarja tragjike e ditëve të fundit në Tiranë më bëri kurioz të lexoj një libër të titulluar Apostati ngurrues (The Reluctant Apostate), shkruar dhe botuar më 2017 nga Lloyd Evans. Evans kishte qenë për shumë vite me radhë një “dëshmitar i Jehovait”, por e braktisi atë kult dhe sot, nga pozitat e ateizmit, është bërë një aktivist vokal kundër tij.
I njohur (ashtu si dhe mormonët) për misionarët e tij, që trokasin derë më derë, ose shpërndajnë tekste fetarë në kryqëzime rrugësh me synim rekrutimin e anëtarëve të rinj, ky kult numëron rreth 8 milionë ndjekës (“dëshmitarë të Jehovait”) në të gjithë botën―disa mijëra prej tyre në Shqipëri.
Autori i librit në fjalë, duke e njohur nga brenda këtë kult, dëshmon për rrezikshmërinë që paraqesin doktrina dhe praktikat e tij për jetën private të njerëzve që besojnë në to, që nga ndalimi i transfuzionit të gjakut, homofobia, kritika ndaj arsimit të lartë e deri te rregullat e rrepta të sjelljes seksuale.
Vetë “dëshmitarët e Jehovahit”, pohon ai, besojnë me fanatizëm se ata janë “të panjollosur nga ndyrësitë e botës së Satanait”. Ata, shkruan Evans, predikojnë se, nëse dikush i bashkohet kultit të tyre duke u bërë një “dëshmitar i Jehovait|”, ai arrin të kuptojë “rrugën e gabuar që ka ndjekur në të kaluarën dhe të mësojë ‘të vërtetën’ mbi planin që Zoti ka për njerëzimin”. Por, vijon ai, “nëse dikush guxon ta refuzojë këtë ofertë bujare, emri i tij do të fshihet nga libri i Zotit për jetën dhe qëllimi i ekzistencës së tij do të jetë thjesht të presë ekzekutimin hyjnor në Armageddon” (f. 20)―vendi ku gjoja do të zhvillohet beteja finale apokaliptike, që do t’i shkatërrojë Satanain dhe djajtë dhe kur vetëm 144,000 vetë, të zgjedhur nga “dëshmitarët e Jehovait”, do të mbijetojnë për të sunduar Tokën, tashmë të shndërruar në një parajsë, për një mijë vite.
Përballë një premtimi dhe kërcënimi të tillë të rremë, që synojnë të krijojë paranojë te njerëz vulnerabël dhe tek ata që mund duan të shkëputen nga ky kult, autori në fjalë i paralajmëron lexuesit me këto fjalë: “[Dëshmitarët e Jehovait] që trokasin në derën tuaj nuk ju ofrojnë asgjë më shumë sesa një kalë Troje. Nëse e pranoni çfarë ata ju ofrojnë, jeta juaj do të përkeqësohet edhe më shumë” (f. 16). “Nëse je një ‘dëshmitar i Jehovait’”, vijon ai, “bota nuk është për ty aspak e mrekullueshme, por është e mbushur me ligësi dhe me tundime. Shpirtra të humbur, të cilët edhe vetë janë tjetërsuar nga Krijuesi, kërkojnë t’ju lëndojnë ose t’ju tërheqin edhe juve në mjerimin e tyre” (f. 19).
Unë vetë kam pasur në Tiranë, vite më parë, një studente, e cila, nga një e krishterë ortodokse, ishte konvertuar në një “dëshmitare të Jehovait”. Ky fakt dukej se i kishte marrë asaj të gjithë energjinë e jetës për t’i dhënë një kuptim të rremë për të. Ishte vërtet për të ardhur keq.
Me interes të veçantë në këtë libër, si dhe në një libër tjetër, shkruar nga Heather Botting dhe Gary Botting, Bota orwelliane e Dëshmitarëve të Jehovait (The Orwellian World of Jehovah’s Witnesses (University of Toronto Press, 1984), është shpjegimi që u bëhet metodave dhe teknikave të rekrutimit e të trushpëlarjes së anëtarëve të këtij kulti, si dhe të kontrollit thuajse total mbi ta nga hierarkia e kësaj organizate. Këta autorë shpjegojnë se “Dëshmitarët e Jehovait” synojnë rekrutimin e fëmijëve në një moshë shumë të re, si dhe trushpëlarjen apo riprogramimin mendor (mental regulating) të tyre përmes një procesi bashkëbisedimi dhe indoktrinimi, që synon konvertimin e tyre në këtë kult, duke rrënjosur tek ata besimin në ata “simbole” mbi të cilët mbështet e tërë dogma e tyre.
Manipulimi dhe indoktrinimi si mjete kontrolli
Një çështje me interes të veçantë praktik dhe teorik është ajo se si arrijnë sektet dhe kultet fetarë (sado të ndryshëm të jenë ata prej njëri-tjetrit), që të indoktrinojnë miliona njerëz kudo në botë. Më lejoni të sjell në vëmendjen tuaj pikëpamjet e disa autorëve të njohur, si dhe të shfaq mendimin tim modest mbi këtë çështje.
Psikiatri i njohur amerikan Robert Lifton, në librin e tij Reforma e mendimit dhe psikologjia e totalizmit (Thought Reform and the Psychology of Totalism, 1961), i krahason metodat e trushpëlarjes e të indoktrinimit që përdorin sekte dhe kulte të ndryshëm fetarë me metodat e indoktrinimit të përdorura nga Partia Komuniste në Kinë, duke pretenduar se vetëm ato u mësojnë anëtarëve të tyre të vërtetën. Sipas tij, njëlloj si udhëheqësit komunistë kinezë, edhe drejtuesit e çdo organizate ose grupimi fetar që synon kontrollin mbi mendjet e anëtarëve të vet (apo trushpëlarjen e tyre), përfshirë edhe hierarkinë më të lartë të komuniteteve fetarë, pretendojnë se janë të pajisur me aftësi mistike, që i bën ata burimin e vetëm të së vërtetës dhe, për këtë arsye, direktivat dhe urdhërat e tyre nuk mund as të kundërshtohen, as të vihen në dyshim nga anëtarët e organizatës ose të grupit.
Margret Singer, një psikologe e njohur amerikane, ofron disa arguemente shumë të dobishëm për të kuptuar metodat dhe teknikat që përdorin sektet dhe kultet e ndryshëm fetarë (ndër ta, në mënyrë të veçantë, “Dëshmitarët e Jehovait”), për të indoktrinuar dhe kontrulluar anëtarët e tyre. Singer dallon tetë mënyra (ose metoda) të tilla:
- Kontrolli i mjedisit shoqëror. Kufizimi i shumë―ose i të gjitha―formave të komunikimit me ata individë që nuk janë anëtarë të grupit. Librat dhe revistat që s’kanë të bëjnë me sektin apo me kultin fetar (këto konsiderohem si helm për ndërgjegjen e tyre), si dhe shkëmbimi i letrave, i vizitave apo i bisedave telefonike me miq dhe me familjen dekurajohen në maksimum, madje, edhe ndalohen.
- Manipulimi i mistifikuar. Konvertimi dhe anëtarësimi në një sekt, ose në një kult fetar bëhet në emër të një qëllimi më të lartë dhe, si rregull, shoqërohet, ose ilustrohet me një profeci, ose një “mrekulli”, që gjoja është përjetuar kolektivisht si një eksperiencë reale në grup.
- Purifikimi, i cili kuptohet si një ndryshim (spastrim) tërësor në nivel global, shoqëror ose personal, që synon përsosmërinë përmes përkushtimit ndaj grupit.
- Rrëfimi para anëtarëve të grupit duke pranuar mëkatet e së shkuarës dhe papërsosmërinë tënde si individ.
- Besimi i verbër në të vërtetën që beson grupi, e cila është absolute dhe plotësisht e mjaftueshme për të shpjeguar gjithçka. Doktrina nuk i nënshtrohet ndryshimeve dhe kurrë nuk mund të vihet në dyshim.
- Përdorimi i një gjuhe të ngarkuar dhe i një fjalori të ri, që i përshtaten kontekstit të doktrinës dhe bëhen pjesë e komunikimit në grup. Anëtarëve të grupit u kërkohet që të “mendojnë” në mënyrë klishe, brenda kornizës së ngushtë e tepër abstraktë të doktrinës, si dhe të përdorin një terminologji që i ndalon ata të mendojnë në mënyrë kritike, duke rrënjosur tek ata një mentalitet thjesht “bardhezi”.
- Vënia e doktrinës mbi individin. Përvojat individuale dhe përvoja në grup interpretohen gjithnjë ngushtësisht dhe vetëm nga prizmi i doktrinës absolute, edhe kur këto përvoja bien në kundërshtim me doktrinën.
- Besimi se shpëtimi është i mundur vetëm në grup. Ata që e braktisin grupin janë të destinuar të vuajnë.
Revistat, broshurat dhe tekstet që u serviren “Dëshmitarëve të Jehovait” (mbi 40 miliardë të tilla deri më sot në të gjithë botën, të përkthyera në disa qindra gjuhë), janë të mbushura fund e krye me proverba dhe porosi që përshkohen pikërisht nga fryma e metodave të mësipërme të trushpëlarjes e të indoktrinimit. Kjo është e vërtetë edhe për shumë sekte e kulte të tjerë fetarë.
Kontrolli mbi mendjen dhe pushteti mbi të
Metodat e manipulimit të përmendura më sipër, të përbashkëta për shumicën e sekteve e të kulteve fetarë, synojnë kontrollin total mbi mendjen dhe mbi sjelljen e anëtarëve të këtyre grupeve dhe pushtetin total mbi ta. Steven Hassan, një specialist i njohur amerikan i kulteve fetarë, në librin e tij Releasing the Bonds (2000), argumenton se synimet e çdo kulti janë kryesisht katër:
- Kontrolli mbi sjelljen e anëtarëve të vet përmes rregullave strike që kanë të bëjnë me mjedisin fizik ku individi jeton (veshja dhe ngjyrat e saj); përmes kohës gjatë së cilës ai angazhohet në seanca indoktrinimi dhe dhe në veprimtari rituale në grup; përmes dekurajimit të sjelljeve individualiste; përmes rregullave strikte të sjelljes në grup, si dhe përmes detyrimit që t’u bindet këtyre rregullave.
- Kontrolli mbi informacionin që u lejohet të marrin anëtarët e grupit përmes mashtrimit të tyre (fshehjes së qëllimshme e informacioneve të tjerë, shtrembërimit të informacionit për ta bërë atë më të “pranueshëm”, ose gënjeshtrës së hapur); përmes dekurajimit të tyre për të marrë informacion alternativ (nga libra, artikuj, gazeta, revista, nga televizioni, radio ose Interneti), ose informacion kritik nga individë që e kanë braktisur grupin); përmes spiunimit dhe raportimit të anëtarëve të grupit që mund të synojnë të informohen nga burime alternative; përmes përdorimit gjerësisht të informacionit e të propagandës që gjeneron vetë kulti e që diseminohet në buletine, në revista apo në broshura, si dhe videokaseta ose në Internet; përmes detyrimit të anëtarëve të grupit për t’u rrëfyer etj.
- Kontrolli mbi mënyrën e të menduarit dhe mbi mendjen e anëtarëve të grupit duke dekurajuar tek ata interesimin për njohuri empirike dhe të menduarit racional kritik, duke inkurajuar të menduarit dogmatik, bardhezi, si dhe duke përdorur një gjuhë simbolikisht të ngarkuar dhe fraza klishe, që e frenojnë të menduarit racional dhe vënien në dyshim të doktrinës dhe të të vërtetave që predikojnë autoritet etj.
- Kontrolli mbi emocionet e anëtarëve të grupit, duke bërë që ata të ndihen vetë fajtorë sa herë që krijohen probleme, ose kur gjërat s’venë mirë dhe të mos fajësojnë drejtuesit e grupit; ose të kenë frikë dhe të dekurajohen të mendojnë në mënyrë të pavarur (frikë nga bota “e jashtme”, frikë nga “armiqtë”, frikë nga “ndëshkimi i fundit”, frikë nga mospëlqimi i grupit ose nga përjashtimi prej tij). I gjithë synimi është që anëtarët e një kulti, si individë, të mos mund të shohin asnjë mundësi pozitive për të ardhmen e tyre jashtë grupit, duke i mbajtur ata vazhdimisht nën presionin dhe nën kërcënimin se braktisja e grupit do të ketë pasoja të tmerrshme për ta―sëmundje të pashërueshme, aksidente, vetvrasje, djaj dhe ferr. Në këtë mënyrë, ata trushpëlahen dhe, prej frikës, refuzojnë të mbajnë lidhje me miqtë, me bashkëmoshatarët dhe me familjet e tyre, si dhe nuk shohin asnjë arsye “të ligjshme” për ta lënë grupin.
Edhe pse çdo kult fetar i ka të gjitha këto synime, ato mund të mos jenë njëlloj të spikatura e në të njëjtën shkallë te çdonjëri prej tyre.
Vulnerabiliteti njerëzor përballë kulteve fetarë
Kthehem tani te çështja për të cilën gazeta Dita më kërkoi opinionin tim, ajo se çfarë i shtyn disa njerëz që t’u bashkohen sekteve të ndryshëm fetarë?
Edhe pse shumica e njerëzve besojnë, ose do të dëshironin të besonin se ata―në çdo kohë dhe në çdo rrethanë―e kanë nën kontroll të plotë mendjen e tyre, kjo nuk është gjithmonë dhe për këdo e vërtetë. Kjo është një ndër arsyet pse sektet ose kultet e ndryshëm fetarë targetojnë dhe veçojnë për të rekrutuar ata individë, të cilët duket se janë vulnerabël, emocionalisht të dobët dhe që nuk e kanë të plotë kontrollin mbi mendjen e tyre, edhe nëse shumë prej tyre mund të jenë të mirarsimuar dhe me një origjinë ose me pozitë shoqërore të mirë. Arsyet pse kjo ndodh mund të jenë të shumta, por unë do të veçoja kryesisht tre:
Së pari, veçanërisht në një shoqëri si e jona, ekziston një padije e madhe për doktrinat e shumicës së sekteve e të kulteve fetarë, si dhe një mungesë e konsiderueshme vetëdije për rrezikshmërinë e tyre, sidomos për mënyrat përmes të cilave ata përpiqen të “shpëlajnë trutë” e njerëzve dhe të vendosin e të ushtrojnë kontroll mbi mendjet e tyre.
Së dyti, ka shumë rrethana jetësore, në të cilat, njerëz emocionalisht të dobët mund të kërkojnë rrugëdalje apo zgjidhje për problemet e tyre te një besim, ose te njerëz që mund të duken (dhe premtojnë) se ofrojnë ngushëllim dhe mbëshetje për ta. Rrethana të tilla, siç mund të jenë humbja e një personi të dashur ose e një anëtari të familjes, një sëmundje e rëndë ose kronike, një marrëdhënie romantike ose një martesë e dështuar, humbja e vendit të punës, kushtet e vështira ekonomike dhe pamundësia për të përballuar nevojat jetike bazë, zhvendosja me banim nga një komunitet i njohur në një tjetër të panjohur dhe ndjesia e vetmisë ose e mungesës së mbështetjes shoqërore që mund të krijojë kjo rrethana në disa individë, fobi të caktuara, probleme me drogën ose alkolin, probleme seksuale të pazgjidhura, ose situata të tjera traumatike―të gjitha këto rrethana, ose çdonjëra prej tyre, munden eventualisht ta bëjnë një individ vulnerabël ndaj premtimeve dhe përpjekjeve të misionarëve të një kulti dhe propagandës së tij për t’u rekrutuar, pa i ditur dhe pa i parashikuar pasojat që vijnë më pas.
Së treti, disa individë kanë profile psikologjike që e bëjnë më të lehtë rekrutimin e tyre nga ana e sekteve apo e kulteve të caktuar si dhe investimin emocionalisht të tyre në të “vërtetat” e fesë së re që ai përqafon. Në përgjithësi, ata njerëz që e kanë më pak të zhvilluar të arsyetuarit racional kritik, ose që janë të pasigurt apo kanë vështirësi të mendojnë në mënyrë kritike, bëhen më lehtësisht pre e propagandës dhe e teknikave trushpëlarëse të kulteve fetarë.
Shkenca dhe feja
Dëshiroj ta mbyll këtë ese në po atë frymë që e nisa dje. Si ateist, unë besoj në diçka më të madhe e më të përjetshme sesa Zoti, të cilën synojmë ta zbulojmë e ta njohim përmes të arsyetuarit racional e kritik, që tek ne e zhvillojnë jo fetë, por kërkimi i lirë dhe shkenca. Rrjedhimisht, në raportin mes shkencës dhe fesë, apo në debatin mbi marrëdhënien mes tyre, unë jam me shkencën, jo me fenë; pra, i besoj shkencës, jo fesë. Kjo është premisa nga nisem në të gjitha arsyetimet e mia. Vetë kjo premisë është rezultat i një përvoje jetësore e studimore të gjatë, e cila më ka bindur se rruga dhe mënyrat për të njohur të vërtetën—një të vërtetë, e cila s’është kurrë e plotë, përfundimtare dhe absolute, por është gjithnjë e pjesëshme dhe relative—janë ato që ofron shkenca dhe që përsosen me zhvillimin e saj.
Unë e shoh shkencën si një përpjekje të gjithanshme e të pandërprerë për ta njohur empirikisht dhe për ta shpjeguar racionalisht botën përmes ligjeve që e drejtojnë atë, ndërsa fenë si një fenomen tepër kompleks, si një sistem dogmash e besimesh që pretendojnë të vërtetën absolute për gjithçka dhe si një kod moral për besimtarët e saj. Ndryshe nga feja, e cila mbështetet në disa të vërteta absolutisht “të sigurta” e “të përjetshme”, shkenca është gjithnjë tentative, çka do të thotë se të vërtetat e saj janë gjithnjë relative.
Duke synuar të arrijë dijen e vërtetë, shkenca detyrohet—herë pas here—t’i modifikojë teoritë e saj, e sigurt se metodat e saj janë të paafta për të arritur të demonstrojnë të vërteta tërësisht dhe përfundimisht të sigurta. Me fjalë të tjera, shkenca nuk është një “monument i së Vërtetës së arritur”, por një mënyrë përmes së cilës njerëzit synojnë dhe përpiqen që të arrijnë tek e vërteta. Si e tillë, shkenca vë në dyshim çdo pretendim për një dije absolute dhe na mëson se nuk duhet të besojmë në vlera absolute. Për më tepër, siç vinte në dukje astrofizicieni i shquar amerikan Carl Sagan, “shkenca është larg së qenuri një instrument i përsosur i dijes; ajo thjesht është instrumenti më i mirë që kemi”.
Nga kjo optikë, marrëdhëniet mes shkencës dhe fesë mund të mendohet se kanë qenë historikisht, ose kanë tentuar e vazhdojnë të jenë: (1) ose marrëdhënie antagoniste e konfliktuale mes tyre, pra një luftë mes dy sistemesh gnoseologjikë që e shpjegojnë realitetin në mënyra të kundërta; (2) ose nuk kanë pasur e nuk kanë asnjë lidhje me njëra-tjetrën, pra janë dy fenomene që kanë të bëjnë me sfera eksperiencash krejt të ndryshme; (3) ose marrëdhënie dialogu mes tyre, një traditë kjo, origjinën e së cilës e gjejmë në të ashtuquajturën “teologji natyrore”, qysh nga koha kur Shën Augustini, në vitet 400 të erës së re, u thoshte besimtarëve se një lexim gërmë për gërmë i Biblës do i çonte ata në gjykime kontradiktore dhe do u jepte argumente jobesimtarëve; (4) ose një përpjekjekje për t’u integruar me njëra-tjetrën në një sistem të vetëm, pasi gjoja, deri më sot, ato paskan qenë të ndara artificialisht.
Unë nuk i them lexuesit se cili nga këta pozicione është i drejtë ose i gabuar. Të drejtën për të gjykuar e ka vetë lexuesi. Unë vetë, njëlloj si Russell, besoj se shkenca dhe feja kanë qenë dhe janë në një konflikt të përhershëm dhe në luftë të vazhdueshme mes tyre. Për më tepër, kjo ka qenë dhe është një luftë, të cilën vazhdimisht dhe në mënyrë vendimtare e ka fituar shkenca, për çka njerëzimi (përfshirë edhe njerëzit besimtarë) duhet t’i jetë mirënjohës asaj.
Unë besoj, gjithashtu, se sot, më shumë se kurrë, duhet të kërkojmë këshillë nga Bertrand Russell, njëri prej mendjeve më të shquara, më të hapura e më të lira të shekullit që lamë pas. Russell thoshte: “Dija përmes së cilës mund të sigurohet lumturia e përgjithshme ekziston; pengesa kryesore për përdorimin e saj në arritjen e këtij qëllimi është mësimi i fesë. Feja nuk i lejon fëmijët tanë që të marrin një arsimim racional; feja nuk na lejon që t’i evitojmë shkaqet kryesorë të luftës; feja nuk na lejon që të mësojmë etikën e bashkëpunimit shkencor në vend të doktrinave të vjetra e të dhunshme mbi mëkatin dhe ndëshkimin. Ndoshta njerëzimi ka arritur sot në kufijtë e një epoke të artë dhe, nëse është kështu, do të jetë e domosdoshme që, së pari, të heqim qafe dragoin që ruan portën, dhe ky dragua është feja”.