“Gjoba deri 8 mijë euro dhe 12 vjet burg”, Kosova ashpërson masat kundër Covid-19

Me rritjen e numrit të rasteve me Covid- 19 si dhe me humbje jete çdo ditë nga koronavirusi po përballet edhe Kosova. E teksa në vendin tonë gjatë këtyre ditëve po flitet për zbatimin e masave dhe vendosjen e maskës tashmë si një detyrim, në të gjitha ambientet e mbyllura, në Kosovë duket se kanë filluar të zbatohen masa edhe më të ashpra, masa që ngjasojnë pak a shumë me ato gjatë periudhës së karantinës në vendin tonë.
Në zbatimin e këtyre masave një rol të veçantë po luan policia e Kosovës së bashku me grupet e inspektorëve në të gjitha komunat e vendit të cilat kanë nisur aksionet për zbatimin e detyrimeve, ku shkelja e tyre penalizohet me gjoba të majme që shkojnë deri në 8 mijë euro deri në heqje të lirisë nga 2 deri në 12 vjet burg.
Por krahas kësaj Kosova ka nisur zbatimin e një sërë masash për personat mbi 65 vjeç dhe ata që vuajnë nga sëmundje kronike, ka kufizuar aktivitetet tregtare, por ka mbyllur edhe kopshtet e çerdhet publike e private.
Në një lidhje “Skype” me emisionin “Wake Up” ishte Adonis Tahiri, drejtor i Inspekcionit në Komunën e Prishtinës, i cili u shpreh se maska në Kosovë nuk është e detyrueshme vetëm në ambientet e mbyllura, por edhe në ambientet e hapura publike.
“Nëse tek ju maska është e detyrueshme vetëm në ambientet e mbyllura, këtu maska është e detyrueshme edhe në vendet e hapura publike, pra edhe nëpër rrugë. Dhe ky është inspektimi kryesor që po bëjmë ditët e fundit bashkë policinë e Kosovës dhe inspektoratet e tjera të nivelit qendror. Nga e hëna e deri sot, kryesisht në kryeqytet, numri i personave të ndaluar është duke u përgjysmuar nga dita në ditë. Kjo mbase nga gjobat apo edhe nga vetë ndërgjegjësimi i qytetarëve, sepse po shohin se numri i të infektuarve në Kosovë është vazhdimisht në rritje”, tha ai.
I pyetur se si e presin njerëzit gjobën Adonisi u shpreh: “Sigurisht që janë të pakënaqur, por them se tani gjoba nuk është qëllim në vete, por e domosdoshme pasi situata gradualisht po shkon duke u përkeqësuar. Prandaj për ne është e domosdoshme të përdorim të gjitha mjetet në mënyrë që të ulim numrin e të infektuarve dhe të mbajmë gjendjen stabile”.
Moderatori i njohur, Isli Islami, e pyeti gjithashtu edhe për numrin e personave që janë gjobitur deri tani. “Nëse i llogarisim tre ditët e fundit janë 223 persona të ndaluar në Prishtinë, ndërkohë janë pesë biznese që janë kapur duke shkelur masat e vendosura për Covid-19”, shtoi Tahiri.