Grenell ka një mesazh për Macron e Merkel para takimit me Vuçiç dhe Hotin

I dërguari i posaçëm i Shtëpisë së Bardhë për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell, shprehu mbështetjen e plotë për udhëheqjen e liderëve evropianë në dialogun midis Prishtinës dhe Beogradit.
“Jemi të lumtur që evropianët do të mblidhen në një takim më 10 korrik për diskutime të mëtejshme me Kosovën dhe Serbinë. Ne ofrojmë mbështetjen tonë totale dhe jemi mirënjohës për udhëheqjen e tyre”, shkroi Grenell në Twitter.
“Ne besojmë se këto marrëveshje janë kyçe në krijimin e punës dhe për t’iu dhënë shpresë të rinjve. Kurrë nuk kemi besuar në një marrëveshje të shpejtë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Dhe kurrë s’kemi menduar se fokusi ynë i vetëm në normalizimin e ekonomisë do të ishte një zgjidhje e shpejtë e problemit. Vështirësitë dhe çështjet afatgjate politike do të përballohen më lehtësisht kur të ndodhë progresi në çështjet ekonomike së pari”, ka shkruar ai.
Grenell ka bërë thirrje që komuniteti ndërkombëtarë të vazhdojë të provojë ide të reja dhe kreative nëse duam të kemi progres.
“Njerëzit e Kosovës dhe Serbisë meritojnë vëmendjen e plotë dhe të vazhdueshme të evropianëve.Ne shpresojmë që çështja e rëndësishme e liberalizimit të vizave do të përfundojë në këtë takim”, shkruan më tej përfaqësuesi i Trumpit për dialogun Kosovë-Serbi.
Ai thotë se Shtetet e Bashkuara kanë punuar shumë për të theksuar normalizimin ekonomik midis palëve sepse besojnë se është hapi i parë thelbësor për mosmarrëveshje politike afatgjate.
Më 10 korrik, përfaqësues të Kosovës dhe Serbisë do të takohen virtualisht në një samit të organizuar nga presidenti i Francës, Emmanuel Macron, dhe kancelarja gjermane, Angela Merkel.
Më 12 korrik, ndërkaq, kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, do të takohet në Bruksel me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Nikoqir i takimit të Brukselit do të jetë shefi për politikë të jashtme i BE-së, Josep Borrell.
Një takim midis Kosovës dhe Serbisë, i planifikuar në Shtëpinë e Bardhë më 27 qershor, nuk është mbajtur, pasi pak ditë para tij Zyra e Prokurorit Special në Hagë ka njoftuar se ka paraqitur aktakuzë për krime lufte kundër presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, dhe disa të tjerëve, emrat e të cilëve nuk janë bërë publikë.
Pas paraqitjes së aktakuzës, Thaçi ka anuluar pjesëmarrjen në takimin në Shtëpinë e Bardhë, e pas tij edhe Hoti.
Grenell, i cili ka qenë organizator i atij takimi, ka paralajmëruar se do të riorganizojë një tjetër së shpejti. Takimi në Bruksel do të jetë i pari midis Kosovës dhe Serbisë, në kuadër të negociatave për normalizimin e marrëdhënieve, qysh në fund të vitit 2018.
Dialogu është ndërprerë për shkak të një takse që u ka vënë Kosova prodhimeve të Serbisë. Autoritetet në Kosovë tani i kanë hequr barrierat tregtare me Serbinë.