Hoti: Sot fillon hartimi i marrëveshjes për njohjen e Kosovës nga Serbia

Delegacionet e Kosovës dhe Serbisë janë takuar sot në Bruksel për nisjen zyrtare të dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Europian, duke shkuar më pranë se kurrë marrëveshjes finale. Kryeministri Avdullah Hoti deklaroi se takimi i sotëm në nivel koordinatorësh ka shënuar fundin e dialogut teknik dhe se sot Kosova ka nisur dialogun për njohje reciproke.

Duke zbuluar detaje nga marrëveshja, Hoti njoftoi sot se në Bruksel fillon sot hartimi i kësaj marrëveshjeje. “Dialogu teknik ka përfunduar. Tani Kosova ka nisur dialogun për njohje reciproke, dhe sot në Bruksel fillon hartimi i kësaj marrëveshje. Qasja refuzuese ndaj dialogut dhe ndaj miqve tanë në të kaluarën e afërt na ka izoluar. Shtëpia nuk mbahet pa miq”, deklaroi Hoti.

Hoti ka deklaruar po ashtu se shpejti do të hartohet drafti i marrëveshjes finale për çështjen e personave të pagjetur. Por, para nisjes për Bruksel, shefi i delegacionit të Serbisë, Marko Gjuric ka mohuar se në takim do të diskutohet njohja e Kosovës. Ai ka thënë se përpos temës së të zhdukurve, do të diskutohet edhe për zhvillimin ekonomik dhe për marrëveshjet e arritura më parë në dialog, e të cilat nuk janë zbatuar.

Kosova është përfaqësuar sot nga koordinatori për dialog, Skënder Hyseni, ndërsa Serbia nga drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë serbe, Marko Gjuric. Ky ishte takimi i parë në nivel ekspertësh që nga rifillimi i dialogut politik që u mbajt më 16 korrik midis Hotit dhe presidentit Aleksandër Vuçic.

Paralajmërimet për rinisjen e dialogut në nivel ekspertësh nuk u mirëpritën në Prishtinë.

Përveç partive opozitare, Lëvizjes Vetëvendosje dhe Partisë Demokratike të Kosovës, ai u kundërshtua edhe nga partnerët e koalicionit, Nisma Socialdemokrate dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, por edhe nga Presidenca, duke thënë se procesi i tillë zvarrit arritjen e marrëveshjes finale.

I dërguari i posaçëm i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak ka konfirmuar se ka zhvilluar takime të ndara me dy negociatorët, duke thënë se  “kanë vazhduar diskutimet politike në nivel ekspertësh”. Lajçak duket se kishte zgjedhur mirë fjalët, pasi pala kosovare thotë se këto bisedime nuk janë teknike, por janë politike.

Për ekspertët rinisja e procesit të bisedimeve pas aktuakuzës ndaj presidentit Hashim Thaçi është shansi më i mirë për të përfshirë temën e të pagjeturve në marrëveshjen finale Kosovë –Serbi. Kreu i Fondit për të Drejtën Humanitare në Kosovë, Bekim Blakaj thotë se kjo doo të intensifikonte punën në mes të institucioneve të të dyja vendeve për të gjurmuar dhe hetuar rastet që ende nuk janë zgjidhur.

“Është e qartë se është e pamundur që të zbardhet fati i personave të zhdukur para një marrëveshjeje finale. Pra, ajo që na mbetet është që kjo temë të diskutohet gjatë dialogut dhe në marrëveshjen finale palët të zotohen që do të angazhohen maksimalisht në zbardhjen e fatit të personave të zhdukur”, thotë Blakaj.

Sipas autoriteteve në Kosovë ende vazhdojnë të rezultojnë të pagjetur rreth 1,600 persona, kryesisht shqiptarë.

Paralajmërimet për rinisjen e dialogut teknik nuk u mirëpritën në Prishtinë, ku përveç partive opozitare, Lëvizjes Vetëvendosje dhe Partisë Demokratike të Kosovës, u kundërshtua edhe nga partnerët e koalicionit, Nisma Socialdemokrate, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, por edhe nga Presidenca.

Kryeministri Hoti megjithatë ka deklaruar se nuk do të ketë vazhdim të dialogut teknik, i cili nisi më 2011 dhe i parapriu atij në nivelin politik, por, që Kosova do të diskutojë vetëm për marrëveshje finale, e cila sipas tij duhet të përmbajë njohje reciproke.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT