Hoti takon Komisionerin e BE-së për Zgjerimin në Bruksel: Liberalizimi i vizave, nevojë urgjente

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti ndodhet në Bruksel ku nesër (16 korrik), pritet të ketë takim të përbashkët me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç.
Sot kryeministri Hoti ka pasur disa takime me zyrtarë të Bashkimit Evropian, përfshirë edhe një takim me Komisionarin e BE-së për Fqinjësi dhe Zgjerim, Oliver Verhelyi.
Përveç çështjes së dialogut me Serbinë, në këto takime, është folur edhe për asistencën e BE-së në procesin e rimëkëmbjes ekonomike si dhe në përballjen me pandeminë e COVID-19.
Përmes një postimi në Facebook, Hoti shprehet se ka theksuar nevojën urgjente për përmbylljen e këtij procesi, si një ndër çështjet më me rëndësi të Kosovës në raport me Bashkimin Evropian.
Postimi i Hotit në Facebook:
“Brenda pak ditësh, takova për të dytën herë Komisionerin e Bashkimit Evropian për Fqinjësi dhe Zgjerim, z. Oliver Varhelyi, me të cilin biseduam për zhvillimet politike në vend, si dhe për procesin e rimëkëmbjes ekonomike pas përballjes me pandeminë COVID19, duke përfshirë këtu edhe bisedën për projektet e mëdha infrastrukturore, të cilat janë pjesë e pakos së rimëkëmbjes.
Temë kryesore e këtij takimi ishte procesi i liberalizimit të vizave, ku theksova nevojën urgjente për përmbylljen e këtij procesi, si një ndër çështjet më me rëndësi të Kosovës në raport me Bashkimin Evropian. Kosova dhe qytetarët e saj janë të përcaktuar në orientimin e tyre euroatlantik, prandaj është e rëndësishme që edhe Bashkimi Evropian të ndërmarrë hapat e nevojshëm, që të sigurohet lëvizja e lirë për qytetarët e Kosovës.
Në këtë takim u fol edhe për nevojën për strategji dhe protokolle të përbashkëta regjionale e evropiane për luftimin e pandemisë, ndërsa z. Varhelyi më siguroi se Kosova është dhe do të jetë pjesë e kësaj strategjie.”
Sipas njoftimeve nga BE-ja takimi Hoti-Vuçiç do të nisë të enjten në orët e pasdites.”