“I kam çuar ftesë zyrtare Kurtit, por refuzoi”, Hoti: Do të nisem në Uashington për dialogun me Serbinë

Mbrëmjen e djeshme Kryeministri i Kosovës Avdullah Hoti në Tv Klan ka deklaruar se kushtetuta i jep atij të drejtën për të përfaqësuar Kosovën në procesin e dialogut me Serbinë.

Më tej Kryeministri Hoti është shprehur se tashmë  qeveria e Kosovës ka ndërtuar të gjitha mekanizmat për t’u përfaqësuar në këtë dialog dhe pohoi se është i gatshëm të marrë pjesë në takimin e Shtëpisë së Bardhë, sapo të ketë një ftesë tjetër nga SHBA.

Hoti tha se për këtë takim janë parashikuar objektiva, dhe se nuk diskutohet integriteti territorial i vendit, por çështje që lidhen me njohjen reciproke.

“Unë kam pas ftesë që të shkoj edhe pasi ndodhi dhe ka qenë insistim i Ambasadorit Grenell që unë të shkoj, mandej u ra dakord që ky takim të spostohej për një datë tjetër. 

Delegacioni është ndërtuar. Në aspektin kushtetues është Kryeministri i vendit që përfaqëson shtetin në procesin e dialogut. Ajo që unë po bëj është që të kemi një përfshirje të forcave politike.

 Dje në mbledhje të qeverisë kemi themeluar një zyrë dhe jemi dakordësuar në sallën e kuvendit, që kuvendi të jetë i përfshirë në proceset. Pra kemi ndërtuar mekanizmat.”- është shprehur Hoti.

Ndërkohë Hoti ka thënë se në procesin e dialogut më Serbinë është përpjekur që të përfshijë të gjitha palët politike, ku theksoi se i ka çuar ftesë edhe Albin Kurtit, por VV-ja zyrtarisht ka refuzuar të marr pjesë në takim.

“I kam çuar ftesa zyrtare Albin Kurtit. Kam marrë një përgjigje publike nga VV që kanë refuzuar të vijnë në takim. Nga PDK nuk kemi përgjigje të prerë, por do të shohim në vijim.”- ka përfunduar ai.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT