‘Jemi të kënaqur që Yuri Kim ndihmoi shqiptarët’, ambasadori Reeker: Një hap i rëndësishëm në drejtimin e duhur

Ambasadori Philip Reeker, nga zyra për çështje të Evropës dhe Euro-Azisë tha sot se Shtetet e Bashkuara mbështesin reformën zgjedhore në Shqipëri si dhe procesin e bisedimeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian.

Ai i bëri këto komente në një telekonferencë me gazetarë në Bruksel, gjatë së cilës foli për vizitën e sekretarit amerikan të Shtetit Mike Pompeo në Evropë gjatë kësaj jave, si dhe përparësitë e marrëdhënieve transatlantike.

“E mirëpresim marrëveshjen si një hap të rëndësishëm në drejtimin e duhur. Jemi të kënaqur që ambasadorja (Yuri) Kim ishte në gjendje të ndihmojë shqiptarët që të lëvizin në drejtimin e duhur. Shqipëria është aleate e NATO-s dhe kandidate për anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe ka bërë një rrugë të gjatë nëpër vite. E dini se kam qenë i përfshirë në atë pjesë të botës për një kohë të gjatë. Ne duam të shohim zhvillime pozitivë ne Shqipëri dhe është me rëndësi që po shohim reformën zgjedhore, është me rëndësi që të gjitha palët e spektrit politik marrin pjesë në institucione. Kjo është demokracia dhe në do të vazhdojmë të angazhohemi, të monitorojmë dhe të inkurajojmë të gjitha palët”, tha zoti Reeker.

Ai theksoi historinë e gjatë të përfshirjes në rajon dhe në këtë kuadër shprehu mbështetjen për procesin e bisedimeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet tyre.

“Kjo mbetet një përparësi me rëndësi për ne. Mendojmë se ata duhet të punojnë për të gjetur një zgjidhje dhe mirëpresim këtë mundësi. Siç e dini, i dërguari i posaçëm presidencial, Richard Grenell, ka punuar në rrafshin ekonomik për t’ju ndihmuar të dyja vendeve që të gjejnë rrugët për të përmirësuar ekonomitë e tyre, me fjalë të tjera të përmirësojnë jetët e qytetarëve të tyre”, tha zoti Reeket duke theksuar se palëve duhet ndihmuar që të gjejnë drejtimin për normalizimin e marrëdhënieve dhe për të siguruar më shumë qëndrueshmëri dhe siguri në rajon.

Bisedimet Kosovë – Serbi të ndërmjetësuara nga BE-ja që filluan në vitin 2011 siguruan një varg marrëveshjesh, një pjesë e madhe e të cilave nuk janë zbatuar kurrë dhe nuk përmbushën synimin kryesor – normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet të dyja palëve.

VOA

Back to top button
LAJMET E FUNDIT