“Kemi kapacitet deri në 500 testime në 24 orë”, ISHP: Virusi nuk ka pësuar mutacion, sillet njësoj si në fillim

Testimi i popullatës për të identifikuar personat e infektuar me Covid-19 është një nga hallkat më të rëndësishme dhe njëkohësisht më të diskutuara që nga fillimi i pandemisë. Ndaj nuk kanë munguar as debatet për numrin e testimeve që kryhen, kush dhe si duhet të kryhet testimi, a janë të mjaftueshme testet që kryhen për të pasur një panoramë të qartë të situatës së Covid-19 në vendin tonë.

Shefja e sektorit të virologjisë në Institutin e Shëndetit Publik, doktoreshë Alma Robo, ishte e ftuar mëngjesin e sotëm në emisionin “Wake Up” në Top Channel, ku foli pikërisht për strategjinë e testimit.

A ka ndryshuar?, A kemi hyrë në një fazë të re testimi ç’ka do të thotë se po shkojmë drejt asaj që deri tani është diskutuar e debatuar: testimit në masë të popullatës?

Lidhur me këtë, shefja e Sektorit të Virologjisë në ISHP tha se kapaciteti për të kryer testime ditore në laboratorin e ISHP-së deri tani është 500 teste në 24 orë por me instalimin e aparaturave të reja mundësitë janë për më shumë.

“Ndërkohë 90 mijë testet që ne kemi në dispozicion do të përdoren për të gjitha kategoritë e popullsisë sipas nevojës duke përfshirë, pacientët që shfaqin shenja klinike, personat që dyshohen nga hulumtimet epidemiologjike, pra për çdo lloj kategorie që mendohet se janë në risk”, tha Robo.

Ajo theksoi se virusi do të vazhdojë të qarkullojë derisa të përmbushet imuniteti i popullatës. E pyetur nëse virusi gjatë rrugës ka pësuar mutacion pra a ka ndryshuar sjellje ajo u shpreh se: “Për mua si virologe është i njëjtë nuk pa pësuar ndryshime që nga fillimi e deri tani. Ky virus prek të gjitha moshat duke përfshirë dhe fëmijët dhe është sidomos i rrezikshëm për moshat e treta dhe personat me imunitet të kompromentuar. Dihet se që në fillim të pandemisë shumë e kaluan pa shenja klinike, kështu dhe po vazhdon, por e theksoj që është i rrezikshëm për personat e tretë dhe ata me imunitet të kompromentuar”.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT