Kryeministri Rama poston foton e Thaçit me flamurin e UÇK dhe citon fjalët e tij

Kryeministri Edi Rama ka bërë një postim në rrjetin social Facebook ku citon fjalët e Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, pas deklaratës së shumëpritur të tij mbi atë çfarë kishte ndodhur 4 ditë në Hagë.
“Askush nuk do ta rishkruajë dot historinë e lirisë tonë,” shkruhet në postimin e kreut të qeverisë shqiptare mbi një foto të Thaçit me mbështetësit e tij dje në Morinë.
Kjo ishte një frazë e fjalimit të gjatë të Thaçit mbrëmjen e sotme, i cili u shpreh se është “i bindur edhe më i vendosur sesa përpara këtij ballafaqimi për vlerën e madhe që ka mundimi dhe sakrifica personale për ta çuar deri në fund zbardhjen e kësaj historie 22 vjeçare”.
“Ky proces jo vetëm që nuk do ta rishkruajë këtë histori të shkruar me gjakun dhe sakrificën e një populli të tërë në luftën për liri, por përkundrazi, nga ky proces, cilado qoftë rrjedha dhe kohëzgjatja e tij, historia e lavdishme e rezistencës, mbijetesës dhe triumfit mbi një pushtues, që kërkoi të shfaroste popullin shqiptar të Kosovës nga faqja e dheut me fshesën e fashizmit etnik, do të bëhet njëherë e përgjithmonë e paprekshme nga askush,” tha Presidenti i Kosovës më herët.
“Ky proces do të vulosë njëherë e përgjithmonë rolin historik të UÇK-së si një rol i pazëvendësueshëm dhe i patjetërsueshëm për lirinë e fituar për të gjitha gjeneratat që do ta gëzojnë Kosovën si shtet të pavarur dhe demokratik.
Këto përbuzje etnike, maltretimi i shqiptarëve qysh në barkun e nënës, sjelljet gjenocidale kundër popullit me të drejtë historike mbi këtë tokë, represioni i kulmuar me spastrim etnik deri në përmasat gjenocidale do të jetë një prej faqeve më të errëta të së shkuarës, që kurrë më nuk do të mund të rikthehet,” ishin fjalët e Thaçit.