Kryetari i Preshevës i vendos kushtet Vucicit që shqiptarët të bëhen pjesë e Qeverisë së Serbisë

Shqiptarët e bashkuar të Luginës së Preshevës në zgjedhjet e fundit, kanë arritur t’i sigurojnë tri vende në parlamentin serb, dhe pas kësaj i kanë ofruar tri kërkesa për t’ua plotësuar nëse duan t’i marrin në qeveri.
Kryetari i Komunës së Preshevës, Shqiprim Arifi ka thënë se me plotësimin e këtyre kushteve do të pranojnë të futen në qeveri ndryshe jo.
“Sot ia bëmë të qartë presidentit Vucic qëndrimet e Shqipëtarëve te Luginës së Preshevës. Nëse ai dëshiron ti tregojë botës sa evropian janë si popull, është momenti i duhur ta vertetojë me vepra. Jo më me fjalë.
Për tu bërë ne Shqiptarët pjesë e Qeverisë, kërkojmë këto kushte:
1. Ministri i Ministrisë së Pushtetit Lokal
2. Ndihmës Ministrin e Ekonomisë
3. Sekretarin Shtetëror në Ministrinë e Arsimit
4. Kryetarin e Trupit Koordinues
Presim përgjigje!”, ka shkruar Arifi në Facebook.
Kujtpjmë, që sot përfaqësuesit shqiptarë të Luginës së Preshevës sot janë takuar me presidentin serb, Aleksandar Vucic.
Përfaqësuesit shqiptar të listës zgjedhore “Alternativa Demokratike Shqiptare-Lugina e Bashkuar”, janë takuar me presidentin serb, Aleksandar Vucic të martën për t’u konsultuar për përfshirjen në Qeverinë e re të Serbisë.
Deputeti shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Argjend Bajrami, përmes një postimi në profilin e tij zyrtar në rrjetin social Facebook, ka treguar edhe kërkesat që kanë pasur ndaj presidentit Vuçiq për të qenë pjesë e Qeverisë së Serbisë.
Për shkak të diskriminimit prej dy dekadash që politika serbe ka bërë ndaj shqiptarëve të Luginës së Preshevës, Bajrami ka bërë të ditur se kanë kërkuar nga presidenti Vuçiq, që Ministria e Pushtetit Lokal t’iu takojë shqiptarëve, po ashtu kanë kërkuar që të kenë edhe zëvendësministër të ekonomisë, sekretar shtetëror në Ministrinë e Arsimit si dhe Kryetarin e Trupit Koordinues.