Kukës/ Kuçana: Shtimi i shtigjeve në zonat e mbrojtura, pasaportë e re për orientimin e turistëve të shumtë që vizitojnë këtë qark

Prefekti i qarkut të Kukësit, Zenel Kuçana në cilësinë e kryetarit të Komitetit të Menaxhimit të Zonave të Mbrojtura Mjedisore kërkoi sot angazhim dhe bashkëpunim maksimal të të gjitha strukturave përgjegjëse me qëllim mbrojtjen dhe rritjen e vlerave të zonave të mbrojtura.
Gjatë një takimi me përfaqësues të enteve publike në këtë qark, Kuçana gjithashtu kërkoi përmirësimin e punës për parandalimin e zjarreve, prerjes së paligjshme të pyjeve, parandalimin e ndërtimeve pa leje në zonat e mbrojtura si dhe parandalimin e gjuetisë së paligjshme.
Kuçana po ashtu vlerësoi punën për shtimin e shtigjeve si pasaportë të re për orientimin e turistëve të shumtë që vizitojnë këtë qark sidomos Valbonën në Tropojë.
Në zonat me erozion, bëri të ditur Kuçana, janë hartuar 7 projekte pyllëzimi në parkun natyror Korab-Koritnik, është hartuar studimi i kapaciteteve kullosore dhe i bimëve mjekësore si dhe janë mbjellë rreth 5500 fidanë të rinj në disa zona me fonde të qeverisë dhe ndihmën e donatorëve, si GIZ.
Qarku Kukës disponon rrjet me biodiversitet të pasur natyror e kulturor. Zonat e mbrojtura kategorizohen në rezervë strikte natyrore dhe trashëgimi e UNESCO-s ku përfshihet Lumi i Gashit (Tropojë) me sipërfaqe 3.000 ha park kombëtar, ku përfshihet “Lugina e Valbonës” me sipërfaqe 8.000 ha park natyror, ku përfshihet vargmali Korab-Koritnik me sipërfaqe 55.550 ha, nga monumente natyrore dhe rezervate natyrore./a.gjonaj//a.a/r.e/
