Manastirliu: Familjarët e të prekurve me Covid-19 presin poshtë spitalit për një lajm të mirë

Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu ka bërë thirrje për respektim të masave që do të frenojnë pandeminë e koronavirusit.
Duke folur nga ceremonia e dhurimit të ndihmave nga Bashkimi Europian, Manastirliu deklaroi se po punohet në disa aspekte për të përballuar rritjen e rasteve të infektuara, përmes strategjisë së testimit dhe gjurmimit të të prekurve.
“Ne tashmë prej 4 muajsh jemi në përballje të pazakontë. Përpjekja e qeverisë dhe qytetarëve ndaj këtij virusi të rrezikshëm na ka bërë të gjithë së bashku kundër këtij virusi që nuk përzgjedh dhe prej të cilit po vuajnë më shumë se 120 qytetarë në spitalet Covid. Më shumë se 1600 qytetarë janë aktualisht të prekur nga ky virus.
Po bëhet një punë e madhe në funksion të përpjekjes ndaj kësaj epidemie, e cila ka filluar që prej ditës së parë dhe nuk ka reshtur së shtuari kapacitetet. Puna jonë ka vijuar dhe do të vijojë e pandalur e mbështetur në disa strategji edhe duke parë në afat mesëm dhe afatgjatë në mënyrë që të përballojmë këtë situatë.
Jemi duke punuar në disa aspekte. Kemi rritur aspektin e testimit për të gjurmuar dhe për të ndërprerë zinxhirin e infeksionit me dy laboratorë.
Kemi tashmë katër struktura për trajtimin e pacientëve. Dy prej tyre sot funksionojë për më shumë se 120 pacientë. Nuk lëmë mënjëanë dhe ata persona që janë të dyshuar”, tha Manastirliu.