Merkel këmbëngul, kërkon hapjen e negociatave me Shqipërinë brenda këtij viti

Gjermania ka marrë Presidencën e Bashkimit Europian prej datës 1 korrik dhe zgjerimi duket se do të jetë një prej prioriteteve të saj.
Vetë Kancelarja Angela Merkel ka shpalosur strategjinë e Presidencës 6-mujore të Gjermanisë para Parlamentit Europian. Kryefjala mbetet reagimi për përballimin e situatës së krijuar nga koronavirusi, por pa anashkaluar sfidat e tjera me të cilët po përballet sot unioni.
Merkel nënkuptoi në fjalën e saj se dëshira dhe vullneti i Presidencës gjermane është që brenda këtij viti të hapen kapitujt e parë të negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.
“Ne duhet të hyjmë në bisedime me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë”, tha Kancelarja.
Megjithatë, po në të njëjtin fjalim, Merkel nënkuptoi gjithashtu se jo gjithçka varet nga dëshira dhe vullneti i Bashkimit Europian dhe Presidencës gjermane. Roli kryesor u takon vendeve kandidate, të paktën në rastin e Shqipërisë.
Tiranës i janë ngarkuar nga Komisioni Europian tre parakushte për hapjen e negociatave. Kushtet lidhen me ngritjen dhe rikthimin në funksionim të Gjykatës Kushtetuese, të Gjykatës së Lartë dhe miratimi i reformës zgjedhore.