Merkel, para eurodeputetëve: Brenda vitit, të hapen kapitujt e negociatave me Tiranën dhe Shkupin

Të hapen kapitujt e negociatave brenda vitit. Kjo është dëshira e kancelares gjermane Angela Merkel për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, e shprehur sot në Parlamentin Europian.
Berlini zyrtar sapo ka marrë presidencën 6-mujore të BE-së, dhe ndër prioritetet e shpalosur Merkel ka cituar pikërisht rrugëtimin europian të Tiranës dhe Shkupit.
“Duhet të hyjmë në diskutime me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë”, ishin fjalët e kancelares, që shtoi se kjo do të ishte shenjë e perspektivës së anëtarësimit të dy vendeve ballkanike.
Më tej ajo theksoi se “Një nga tre objektivat e politikës së jashtme gjatë presidencës tonë ka të bëjë me Ballkanin Perëndimor. Lidhur me konferencat e anëtarësimit, ne duhet të angazhohemi në negociata të anëtarêsimit me Maqedoninë e Veriut dhe nëse është e mundur me Shqipërinë, si dhe progresin për Ballkanin Perëndimor, në mënyrë që të ofrojmë një perspektivë anëtarësimi”.