Meta mesazh politikës: Bashkëpunoni, duhet hequr urgjent çdo pengesë për integrimin

Presidenti Ilir Meta ka uruar të gjithë besimtarët myslimanë për festën e Kurban Bajramit. Teksa shprehu urimet më të mira për udhëheqësit fetarë, Meta i dërgoi dhe një mesazh të fortë politikës.
Ai tha se politikanët duhet të marrin shembullin e bashkëpunimit e mirëkuptimit që kanë udhëheqësit fetarë në vendin tonë.
“Në këtë ditë të shenjtë ndaj urimet e mia këtu në Kryegjyshatën Botërore të Bektashinjve. Urimet më të mira për të gjithë besimtarët dhe qytetarët tanë. Sot nuk është vetëm një ditë vëllazërimi dhe solidariteti, por një ditë e rëndësishme që njëkohësisht na fton për të bërë sakrifica për ta forcuar këtë vëllazëri këtë solidaritet dhe këtë bashkim.
Falenderoj shumë udhëheqësit tanë për harmoninë, që kanë ruajtur dhe forcuar, bëjnë gjithçka për ta mbajtur popullin të bashkuar ndaj vlerave më të mira njerëzore e qytetare. Uroj që edhe politika të mësojë dhe të marrë këtë shembull, të frymës së bashkëpunimi, mirëkuptimi për interesat e qytetarëve. Jam i sigurt që populli do udhëhiqet nga kjo harmoni që bëjnë këta udhëheqës, për të edukuar të rinjtë me vlerat më të mira njerëzore.
Një ditë e rëndësishme sot për t’u angazhuar së bashku për atë synim që ka populli ynë për ta realizuar sa më shpejt ëndrrën drejt BE-së që të mos ikin më të rinjtë, por të kthehet kush ka ikur. Ashtu siç shprehu Papa Françesku që shqiponjat do të kthehen në folenë e tyre”, tha Meta.