Meta takim vëllazëror me Hotin: Shqipëria mbështet dialogun Kosovë-Serbi, politika të bashkohet

Presidenti Ilir Meta ka pritur në takim kryeministrin e Kosovës, Avdullah Hotin. Përmes një deklarate për mediat, kreu i shtetit e ka quajtur vëllazëror takimin me Hotin, ndërsa e ka uruar edhe për detyrën
“I lumtur të prisja sot në një takim vëllazëror Kryeministrin e Republikës së Kosovës Avdullah Hoti. E urova përzemërsisht për detyrën e re dhe për sa më shumë suksese në të mirë të Kosovës, popullit të saj dhe të ardhmes europiane.”, thekson Meta.
Presidenti nënvizon se Shqipëria mbështet dialogun Kosovë-Serbi, për normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve, dhe në këtë kuadër janë të mirëpritura përpjekjet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Europian.
“Është e rëndësishme që të gjitha forcat politike të Kosovës të jenë të bashkuara rreth një platforme gjithëpërfshirëse në këtë proces.
Liberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës është një domosdoshmëri që duhet të ndodhë sa më parë.
I premtova Kryeministrit Hoti se edhe kësaj vere do të promovoj me kënaqësi bukuritë natyrore të Kosovës sonë të dashur, i bindur se edhe shumë qytetarë nga Kosova do ta kalojnë sezonin turistik në perlat e bregdetit dhe malet e jashtëzakonshme të Shqipërisë.“, deklaroi Meta.