“Një herë në 100 vjet fluturon edhe pata e pjekur”, Murrizi: E përshëndes Bashën, por duhet të ishte ai iniciatori për listat
Deputeti demokrat, Myzlim Murrizi, ka folur mbrëmjen e së premtes për kthesën e papritur të Partisë Demokratike për hapjen e listave 100%.
Në studion e emisionit “Java në RTSH” Murrizi u shfaq i gëzuar teksa me folklorizëm u përgjigj se “një herë në 100 vjet fluturon edhe pata e pjekur”.
Ai shtoi se nisma për të hapur listat ka qenë tepër e vështirë për t’u përkrahur nga grupet opozitare në Kuvend. Por siç tha Murrizi, sondazhet tregojnë se 85% e qytetarëve duan zgjedhje me lista të hapura.
“Prej 12 vitesh ne kemi patur votime, por jo zgjedhje. Ka qenë e vështirë për ne deputetët opozitarë që të ishim në sinkron, pasi siç e dini ne jemi rebelët që nuk iu bindëm Lulzim Bashës dhe Monika Kryemadhit për të djegur mandatet. Imagjinoni për të qenë në sinkron me njëri-tjetrin sa e vështirë ka qenë” – tha deputeti.
Ai deklaroi se do të dëshironte që nisma për hapjen e listave të kishte qenë një propozim nga Lulzim Basha. Murrizi nuk hezitoi as ta përshëndeste Bashën.
“Ka qenë kërkesë e imja konstante në mbledhjet e PD deri ditën që nuk iu binda djegies së mandatit. Megjithatë e përshëndes shumë sinqerisht dhe shumë seriozisht Lulzim Bashën” – tha Myslim Murrizi në studion e “Java në RTSH”.