Një ngjarje në Ambasadën shqiptare në Athinë dhe lotët e një emigranti: “Nuk kanë pikën e ndjeshmërisë. Kaq të parëndësishëm jemi ne për vendin tonë?”

Emigrantët shqiptarë jashtë vendit, shpesh herë ankohen për mungesë shërbimi nga ana e ambasadave tona atje. Rasti më i fundit vjen nga vendi ku numri i shqiptarëve që jetojnë dhe punojnë është më i lartë së në çdo shtet tjetër, Greqia.

Festim Alimuça, iu drejtua gazetës Dita këtë pasdite për të shprehur një shqetësim, që nuk është vetëm i tij:

“Duke patur parasysh që në 8 gusht mua dhe bashkëshortes time na skadon pasaporta, muaj më parë, në 12 shkurt lëmë një takim nëpërmjet platformës online me Ambasadën tonë në Athinë për rinovim pasaporte. Në atë kohë nuk na kthyen përgjigje për të na lënë një datë dhe orar takimi. Ok, mendova, për shkak të pandemisë!
Në datën 1 qershor më kthejnë përgjigje dhe më vendosin datën e takimit, 30 korrik, ndërsa bashkëshortes, 31 korrik (Absurde kjo, pasi ne aplikimin e bëmë nga një adresë e-maili, po nejse, më e pakta që mund të ndodhte)”- tregon Festimi të cilit i dridhet zëri nga ana tjetër e telefonit.

Sot në mëngjes, niset herët për të kapur orët e para të mëngjesit dhe për të mbaruar punë pranë zyrave të Ambasadës Shqiptare në Athinë.
Sapo shkon në Ambasadë i thonë se duhet të pres orën 14:00! Përsëri Festimi ulet dhe… pret.

“Kur vjen ora 14:00, del një djalë dhe na thotë se aplikimi për pasaportë është shtyrë për një datë të dytë! Mua më kishin caktuar datën 7 shtator dhe bashkëshortes datën 8. Ndërkohë që pasaporta më përfundon në 8 gusht! Sot humba ditën e punës dhe u zhurita në këtë vapë përvëluese…”

Më tej Festimi ngre disa pyetje…
“Kaq të vështirë e kishin të na lajmëronin shtyrjen nëpërmjet e-mailit, ashtu siç bëmë me aplikimin, apo me një telefonatë?! Pse ata që duhet të jenë njerëzit tanë, ata që duhet ta na vijnë në ndihmë, na trajtojnë në këtë mënyrë”- shprehet 58 vjeçari.

“Nuk ndjejmë siguri as nga ambasada jonë. Na kanë kthyer 25 vite pas, edhe atëherë, mendoj se ishte më mirë se sa tani! Kaq të parëndësishëm jemi ne për vendin tonë? Jemi lindur dhe rritur në Shqipëri, kemi pasaportë shqiptare, kemi njerëz në Shqipëri, vijmë herë pas here, si ka mundësi që nuk na trajtojnë si njerëz, nuk na shërbejnë si njerëz. Nuk kanë pikën e ndjeshmërisë ndaj emigrantëve. Janë ca zyra kot, që nuk bëjnë asgjë për punën të cilën duhet të bëjnë! Kujt t’i ankohemi. Ku të përplasemi. Ndihemi jetimë!”- rrëfen Festimi, duke u ngashëryer nga ana tjetër e telefonit.

Alimuça ka 24 vite në Greqi, Athinë, ku jeton dhe punon së bashku me familjen. Është baba i dy fëmijëve të rritur dhe vetë punon në industrinë e hekurit, merret me montim dhe ndërtim. Të njëjtën punë ka bërë edhe në Shqipëri, përpara se të largohej. Ka qenë punonjës pranë Ndërmarrjes së Ndërtimit, “Perlat Rexhepi”, Vlorë, në sektorin e montim-saldimit.

“Kemi vite që jemi në kurbet dhe nuk ndjemë njëherë dorën e ngrohtë të shtetit tonë, që të na mbështesë dhe të na shërbejë për nevojat që kemi, për problemet që hasim. Nuk kemi parë asnjëherë interesimin e shtetit shqiptar. Asnjëherë. Vijnë bëjnë ca takime formale, vetëm fjalë, dhe më pas zhduken. Janë afro 1 milion shqiptarë në Greqi”.

Festimi flet më mall për Shqipërinë. Paçka notave të zemërimit, ai dëshiron të kthehet në vendin ku është lindur dhe rritur.

“Dua shumë të vij aty, e mendoj çdo orë që të kthehem, po ku të kthehem!? Kam një shtëpi, kërkoj një leje për ta rindërtuar dhe nuk ma japin! Një mal me procedura dhe burokraci për një shtëpi e cila është rrënuar dhe e kam me të gjitha dokumentet”.

Në këtë pikë ndjen mall dhe zemërim në të njëjtën kohë që mesa duket është i akumuluar.

“Kur më vdiq babai përpara disa vitesh, paçka përpjekjeve të mia nuk erdha dot për mungesë dokumentesh, ta përcillja tim et ‘ për në banesën e fundit. Larg qoftë tani të më ndodh diçka me nënën, me këto shtyrja datash që bën ambasada jonë, unë mund të kem të njëjtin fat. Pse duhet kështu, kur gjerat mund të ishin ndryshe!?

Jemi mësuar duke pritur zgjidhje nga ata që paguhen për këtë punë dhe zgjidhje nuk na japin”- e mbyll bisedën me ne Festimi, të cilit ia mirëkuptojmë mallin dhe brengën për vendlindjen.

E.Resuli / Dita

Back to top button
LAJMET E FUNDIT