Parlamenti miraton aktin/ Mbyllen diskot dhe klubet e natës, nuk lejohet muzika pas orës 20:00

Me 87 vota pro, 11 kundër dhe 2 abstenim, Kuvendi ka miratuar ndryshimet e reja në Aktin Normativ që parashikon mbylljen e diskove, klubeve të natës dhe lounge bareve, si dhe ndalimin e muzikës pas orës 20:00.
Akt Normativ nr. 30, datë 20.07.2020 “Për disa shtesa dhe ndryshime në aktin normativ nr. 3, datë 15.03.2020 të Këshillit të Ministrave “Për marrjen e masave të veçanta administrative gjatë kohëzgjatjes së periudhës së infeksionit të shkaktuar nga COVID-19” të ndryshuar”” ka marrë 87 vota pro, 11 kundër dhe abstenim.
Duke prezantuar ndryshimet në Aktin Normativ dhe penalitetet, Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojet Sociale Ogerta Manastirliu, ka deklaruar se klubet e natës u kthyen në vatra të përhapjes së infeksionit dhe se do të ndërmerret cdo masë që do të vlerësohet e nevojshme për ruajtjen e shëndetit të qytetarëve.
“Vendosja e penaliteteve të shtuara për klubet e natës, diskove apo çdo lloj shërbimi të kësaj natyre të cilat kanë patur detyrimin në fakt që në krye të herës për të mos u hapur, është një masë që ndërmerret për mbrojtjen e shëndetit të qytetarëve. Sepse ato janë kthyer në vatra potenciale infeksioni. Të rinjtë po bëhen vektorë të shpërndarjes së infeksionit tek moshat e tjera, tek prindërit dhe tek të moshuarit apo tek ata më të dobëtit. Detyrimi që vendoset tani nëpërmjet këtij Akti Normativ, jo vetëm përcakton rritje të masës së penalitetit por gjithashtu vlerëson një pezullim për një periudhë 1-vjeçare në rastet kur këto subjekte nuk i binden këtij ligji”, tha Manastirliu.