Po shpërdorohen lekët e taksapaguesve, Qeveria kundër RTSH për blerjen e Champions League

Vendimi i televizionit publik në vend, RTSH, për të blerë me paratë e taksapaguesve një nga të drejtat televizive më të shtrenjta në botë siç janë ndeshjet e Champions League, ka ngjallur polemika dhe kundërshtime, pasi në vetvete përbën shkelje edhe luks i tepruar.

Madje edhe mazhoranca ka dalë fort kundër kësaj nisme me zërin e kreut të grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla.

Pikërisht vendimi i Këshillit Drejtues të RTSH-së për të aktivizuar blerjet e Champions League është kundërshtuar nga numri dy i mazhorancës, Taulant Balla në Kuvend.

Këto polemika janë provokuar, pasi nuk ka ndodhur asnjëherë në Shqipëri, apo edhe në vende të tjera shumë më të fuqishme që televizioni publik të blejë me paratë e buxhetit një të drejtë televizive që përgjithësisht bëhet nga platforma apo televizione komerciale, që financohen me paratë e veta.

Sipas vendimit të Këshillit Drejtues të RTSH-së bëhet fjalë për 600 mijë euro në sezon, ose 1 milionë e 800 mijë euro për tre vjet që RTSH do të paguajë nga paratë pubike për konsorciumin e UEFA-s që tregton të drejtën televizive.

Sipas specialistëve që merren me të drejtat televizive, kostot teknike për të marrë sinjalin për një ndeshje arrijnë nga 25-30 mijë euro. Sikur të marrim apriori shumën 26 mijë euro, ta shumëzojmë me 18 ndeshje për sezon, i bie që shuma e përgjithshme e blerjes së një ndeshjeje në javë për tre sezonet të mos jetë 1.800.000 Euro por plot 3.204.000 Euro.

“Nuk mund të tolerohet ky investim, pasi me këto para mund të ishte mbuluar transmetimi i RTSH-së në çdo cep të territorit. Këto miliona nuk janë një shpenzim që i bëjnë nder televizionit publik. Nuk ka asnjë television publik shtetëror, as BBC, as RAI e as ERT në Greqi, TVR në Rumani që të harxhojë para për këtë.

Televizioni publik të vijojë të japë mësimin, edukimin, të ndihmojë publikun, por jo të bëhet pjesë e logjikës tregtare”, tha Balla.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT