Propozimi një ditë para Këshillit Politik, ish-kryeministri: Të rikthejmë mazhoritarin me balotazh

Një ditë para mbledhjes së Këshillit Politik, ish-kryeministri i Shqipërisë, Aleksandër Meksi ka propozuar që të ndryshohet komplet sistemi elektoral në tre akse kryesore: Të zgjidhen 80 deputetë në mënyrë mazhoritare, pra direkt me sistem dy turnësh me balotazh, ku kandidatët të garojnë dy herë nëse nuk marrin 50+1% të votave, të bëhet numërimi në kutitë e votimit dhe gjithashtu 12 qarqet e vendit të ndahen në 7, duke u kthyer në zona elektorale.

Meksi, i cili ka drejtuar vendin nga 1992-1997, thekson në një analizë të gjatë të publikuar në rrjetin social, se sistemi aktual nuk garanton një barazi vote.

Ai thekson se Parlamenti shqiptar duhet të përbëhet nga 100 deputetë; 80 të zgjedhur direkt me një sistem alla francez dy turnësh dhe 20 me sistem proporcional me lista kombëtare.

Meksi propozon që numërimi i votave të mos bëhet si sot në GNV por në qendrat e votimit siç kanë qenë, të cilat hartojnë procesverbal për çdo QV.

Nga ana tjetër ish-kreu i qeverisë, propozon edhe një ndarje të re territoriale me 7 qarqe që janë edhe zona zgjedhore.

Meksi propozon që jo vetëm deputetët të zgjidhen me sistemin e balotazhit, por edhe krerët e bashkive.

Në fakt Shqipëria, deri në vitin 2001, ka pasur sistemin me dy turne në votim, pra me balotazh. Ku deputetët në raundin e parë, apo edhe kryebashkiakë, ku kishte shumë kandidatë zgjidhej ai që merrte më shumë se 50% të votave.

Nëse asnjëri nuk arrinte këtë kuotë zhvillohej turni i dytë, ku garonin dy kandidatët më të votuar dhe fitonte ai që kishte qoftë edhe një votë më shumë. Ky sistem krijoi mundësi për të zbutur polarizimin, pasi në raundin e dytë riaktivizohej elektorati gri që bënte një zgjedhje më jashtë skemave. Shembulli më kuptimplotë është rasti i zgjedhjeve vendore në vitin 1996 në Shkodër.

Në raundin e parë të zgjedhjeve të 20 tetorit, shumica e elektoratit nuk mori pjesë në votime. Kështu, në turin e parë votuan kryesisht përkrahësit e zjartë, që nxorën më të votuarit kandidatin e PD-së, Artur Luka dhe kandidatin e së Djathtës së Bashkueme Shkodrane, Bahri Boriçi në vend të dytë. Kandidati i PS-së Sadetin Stankaj u rendit i treti.

Në Balotazh garoi Luka i PD me Boriçin e së djathtës dhe solli përveç fitores së të dytit një rritje të konsiderueshme të votuesve, që mendonin se vota e tyre bën diferencën.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT