Publikimi i emrave të pedofilëve shqiptarë, apo edhe kastrim kimik i tyre? Duhen 20 mijë firma, KQZ miraton mbledhjen e tyre

Dje Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka miratuar kërkesën për krijimin e një regjistri kombëtar për autorët e krimeve seksuale.

Kërkesa në KQZ u bë nga komiteti përfaqësues i nismës i përbërë nga Iris Luarasi (në foto) përfaqësuese e Qendrës “Linja e Këshillimit për Gra dhe Vajza”, Ines Leskaj përfaqësuese e Shoqatës “Rrjeti i Fuqizimit të Gruas në Shqipëri” dhe Mirela Arqimandriti përfaqësuese e “Qendrës Aleanca Gjinore për Zhvillim”.

Miratimi për fletën tip i hap rrugën procesit ligjor për mbledhjen e 20,000 firmave për krijimin e një regjistri kombëtar.

Rreth 3 javë më parë 27 organizata të shoqërisë civile i kanë bërë një kërkesë Kuvendit të Shqipërisë për ndryshime në Kodin Penal që kanë lidhje me rritjen e masave ndëshkuese për autorët e krimeve seksuale, ndryshime në përkufizimin e përdhunimit, kriminalizimin e sjelljes seksuale pa dhënien e pëlqimit, realizimin e mbikqyrjes për autorët e krimeve seksuale, dërgimin e tyre në shërbime të specializuara rehabilitimi për dhunuesit, etj. bazuar në dy Konventa të rëndësishme të Këshillit të Evropës të ratifikuara nga Shqipëria (Konventa e Stambollit dhe Konventa Lanzarote).

Ndryshimet e vazhdueshme të Kodit Penal nuk janë shoqëruar me plane dhe strategji ndërhyrje për të parandaluar të sjellje të tilla, si: dërgimi i autorëve në terapi rehabilitimi, apo mbikëqyrje të rregullt të ish të dënuarve për krimin e dhunës seksuale.

Për mbikqyrjen e autorëve të krimeve seksuale ka vetëm një rregullore të Ministrit të Brendshëm.

Aktualisht në Shqipëri ka 98 persona të cilët pasi janë dënuar nga gjykata për krime seksuale me të miturit kanë përfunduar dënimin.

Fatkeqësisht, asnjë prej tyre nuk është identifikuar nga drejtësia si pedofil dhe nuk është trajtuar me mjekime apo terapi gjatë dënimit apo pasi e ka kryer dënimin.

Organizata Botërore e Shëndetësisë e klasifikon pedofilinë si një sëmundje psikike, e cila lidhet me tërheqjen seksuale ndaj të miturve.

Legjislacioni europian në disa vende si Britani e Madhe, Francë, Gjermani, Norvegji, Suedi, Finlandë, Danimarkë, etj. ka parashikuar si sanksion kastrimin kimik me anë të injeksionit ndaj pedofilëve.

Kastrimi kimik konsiston në përdorimin e ilaçeve në mënyrë periodike, zakonisht në formën e një injeksioni, i cili shuan epshin seksual.

“Kastrimi kimik është një nga format më të civilizuara të trajtimit që është përdorur ndaj abuzuesve seksuale dhe është thjesht një lloj terapie hormonale që heq dëshirën seksuale të shkelësit” – thuhet në një njoftim për shtyp të organizatave.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT