Pushimet verore, pandemia nxjerr në pah diferencën sociale

PlazhKu do të pushosh këtë vit? Keni prenotuar për pushimet verore? Këto janë pyetjet më të shpeshta që miqtë i bëjnë njëri-tjetrit duke qenë se jemi në kulmin e sezonit turistik.
Por pandemia e Covid i prishi punë një pjese të asaj kategorie që pushon rregullisht në resorte jashtë vendit dhe sot ata kanë si alternativë të vetme brigjet shqiptare.
Për shkak të masave anticovid, shumë resorte në Turqi nuk u hapën këtë vit, ndërsa Mali i Zi dhe Greqia nuk hapën dyert për turistët shqiptarë.
Alternativa e vetme e kësaj kategorie mbetet Gjiri i Lalzit ose Joni. Por nëse pyet në Gjirin e Lalzit, një dhomë në një prej hoteleve të kësaj zone shkon deri në 80 euro nata, çka e bën të pamundur për atë shtresë që pushimet i siguron me kursimet e veta.
E njëjta situatë dhe në jug. Vende të tilla si Dhërmiu, Drimadhe, Jali, Himara të preferuara aq shumë jo vetëm kanë rritur çmimet e dhomave por dhe shezllonet pa llogaritur koston e ushqimit.
Në Himarë një dhomë në natë në periudhën e gushtit varion nga 50-60 euro në shtëpitë private në 150 euro në hotelet buzë detit.
Pandemia, përveç kostos së lartë të shpenzimeve për shëndetin, për mirëqënien, po rëndon dhe në buxhetin e pushimeve aq të pritura për të gjithë. Në fund, zgjidhja është të qëndrosh në shtëpi e të shijosh fundjavat ose të shpenzosh të gjitha sot duke rriskuar financat për muajt e tjerë në vazhdim.