Rikthimi i Hashim Thaçit nga Haga provokon një ndryshim politik në Prishtinë

Me rikthimin e Hashim Thaçit në Prishtinë, pas një odiseje 4 ditore të “intervistimit” në Prokurorinë e Gjykatës Speciale, rreht aktakuzës së nisur ndaj tij, priten edhe zhvillime të rëndësishme politike.
Deri në muajin tetor, kohë kur Gjykata Paraprake e Dhomave të Specializuara do të vendosë për të miratuar apo jo akuzën e Prokurorit Special, duket se nuk do të ketë një lëvizje të Thaçit nga posti i Presidentit.
Por kjo nuk ja heq, përkundrazi shton etjen e kreut të shtetit për të nisur disa lëvizje të forta në vend. Prej kohësh, po përflitet një hyrje e PDK-së në qeverinë e Avdullah Hotit, për ta forcuar atë, pas dënimit të deputetit që mbante në këmbë mazhorancën e qeverisë së re.
Si fillim, duket do të nisë një lëvizje rreth pandemisë që po godet rëndë Kosovën, ku sipas të gjitha gjasave partitë e qeverisë, plus PDK-në do të kërkojnë shpalljen e Gjendjes së Jashtëzakonshme në vend. Situatë, që e bën Presidentin e Republikës më protagonist në jetën e vendit. Dhe pikërisht më pas pritet që të nisin bisedimet mbi rolin e PDK-së në qeverisje.
Zërat e dalë nga njerëz pranë Thaçit kanë folur për një marrëveshje që përfshin zgjedhjen e një Presidenti të ri të Kosovës në tetor, nga radhët e PDK-së, në rast se konfirmohet akuza ndaj Thaçit. Pas kësaj, kjo forcë politike tani në opozitë mund të konfirmojë pjesëmarrjen në qeveri për ta forcuar mazhorancën që mban në këmbë kabinetin e Avdullah Hotit.
Dialogu Serbi-Kosovë i udhëhequr nga BE, këshilltari i Thaçit del kundër: Nuk është në interesin tonë
Por LDK, e cila ka si kandidaturë të sajën Isa Mustafën për President, ide që duket se rrëzoi edhe marrëveshjen me Vetëvendosjen, nuk duket se e preferon të mos e hapë këtë logjikë.
Megjithatë, zgjidhjet për LDK-në nuk se janë të mëdha, kur ka Vjosa Osmanin, tashmë të larguar dhe Vetëvendosjen gati për ta cilësuar partinë e Isa Mustafës si shkaktari i prishjes së vullnetit popullor të 6 tetorit.
Nga ana tjetër, Thaçi me daljen para publikut për Hagën, kur e kishte mbajtur një deklaratë më parë, duket se kishte si qëllim vetëm të shpallte rikthimin e tij në politikën aktive, që duket se do ta nisë që të hënën.