Samiti i Parisit për Kosovën, rreziqet që forca e Merkel të rezultojë një plasje tullumbaceje

YLLI PATA

Deklarata e Peter Stanos, zëdhënësit të Josep Borrell, për thirrjen e dialogut Serbi-Kosovë nën patronazhin e Angela Merkel dhe Emmanuel Macron në kryeqytetin francez më 10 korrik, është dëshmi edhe më e qartë se ç’përfaqësonte “Lufta për takimin e parë” që u zhvillua para se të mbahej samiti i Uashingtonit, i cili pësoj një fiasko të fortë, falë deklaratës së Prokurorisë Speciale se ka një akuzë ndaj Hashim Thaçit.

Gjykata Speciale e Kosovës, edhe pse u ngrit me mbështetjen e SHBA e BE, ajo financohet totalisht nga Bashkimi Europian. Infrastruktura e saj paguhet nga qeveria holandeze, ndërsa pagat e gjyqtarëve, prokurorëve, e administratës, kalojnë në konto bankare direkt nga Brukseli.

Kështu që lidhja direkt ndërmjet varësisë dhe njoftimit për akuzë ndaj Thaçit, duket se pati pikërisht luftën e ashpër nga ana e Angela Merkel për ta thirrur ajo dhe jo Donald Trump samitin e parë mes Kosovës dhe Serbisë.

Logjika e hekurt gjermane në këtë rast, lidhet edhe me fillimin e Presidencës së Berlinit në BE, e cila Merkel donta ta niste me një “goditje tavoline” ndaj SHBA, pas tarifave penalizuese që Uashingtoni ka vendosur prej kohësh për mallrat gjermane.

Megjithatë, prova e fortë e BE-së me shkatërrimin e samitit të Uashingtonit, do të jetë nëse arrin të prodhojë gjë në takimin e 10 korrikut në Paris, ndërmjet Aleksandër Vuçiçit dhe Avdullah Hotit.

Presidenti serb, është vërtetë më i fortë pas fitores në zgjedhjet parlamentare, por bojkoti i opozitës e ka kthyer atë të brishtë nëse “jep Kosovën” aq lehtë, ngaqë mund të quhet tradhëtar nga ekstremistët e djathtë.

Kurse Avdullah Hoti, është edhe më i dobët se më parë pas humbjes së deputetit të 61 që mban në këmbë mazhorancën qeverisëse, Etem Arifit, si pasojë e dënimit rë formës së prerë nga Gjykata e Apelit.

Megjithatë, dobësia e dy interlekutorëve është forcë për Merkel e Macron, pasi mund të hedhin në tryezë variante edhe më të guximshme për zgjidhjen e çështjes.

E pikërisht, përmbajtja e formulës së marrëveshjes është edhe prova për BE. Për 12 vjet, Brukseli, njëherë me Ashton e më pas me Mogherinin ka tjerrë dialogun Prishtinë-Beograd me gjëra teknike që kanë lodhur njerëzit, kanë sjellë pak rezultat, por edhe kanë prodhuar trazira, siç ishin ato që u provokuan nga Asocacioni i Komunave Serbe, që iu imponua qeverisë së Isa Mustafës nga Mogherini.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT