Shpërthen Bashkim Fino, del kundër PS për Metën: Nuk mund të tallemi kështu, kemi vetëm një opsion

Mazhorancës i ka ngecur sharra në gozhdë për komisionin e hetimit të Presidentit Ilir Meta. Deputetë të rëndësishëm të PS-së, por edhe ata të opozitës parlamentare nuk kanë rëndë dakord që vendimi ndaj Metës të përfundojë me vërejtje me shkrim.
I pari që ka kundërshtuar konkluzionet e komisionit, ka qenë ish-kryeministri Bashkim Fino, i cili tha se shumica duhet të jetë serioze e të mos tallet me njerëzit.
“Jam gati të votoj kundër shkarkimit, por ne do të njollosim veten tonë. Mazhoranca ka dy opsione ose më saktë një opsion të kërkojë shkarkimin ose ta cilësojë të ligjshëm vendimin e Presidentit”, tha Fino.
Më tej ai shton se për këtë veprim nuk mund të lejë të gabojë Taulanti (kreu i grupit të PS, Balla), kryeministri Rama, sepse mne po bëhemi qesharakë dhe po japim një “vërejtje me shkrim për shokun Ilir”.
“Shikoni Shkodrën, nëse do të kishim pranuar mos bërjen e zgjedhjeve siç kërkoi presidenti atëherë do kishim kryetarë bashkie të paligjshëm dhe me kundërshtim me Kushtetutën”, shtoi Fino, i cili bëri të ditur se qëndrimin do e mbajë edhe në seancën parlamentare.
Ndërkaq, deputeti Halit Valteri i opozitës parlamentare, ka përkrahur qëndrimin e Bashkim Finos dhe ka thënë se ne si opozitë parlamentare do të kërkojmë shkarkimin e Presidentit të Republikës në seancë. Nëse shumica në komision nuk pranon, ne do të shkojmë me dy variante, tha Valteri.
Ndërkaq, deputeti i Partisë Socialiste Alket Hyseni ka mbrojtur qëndrimin e mazhorancës, duke bërë një raport professional, por që të mos kërkojë shkarkimin, duke bërë një raport të ftohtë juridik që të evidentojë shkeljet, duke mos ndikuar në përçarjen e institucioneve. “Të mos ndjekim emocionet, të mbështesim Komisionin e Venecias, i cili bën të ditur se nuk mund të shkarkohet Presidenti”, tha Hyseni.