Skandali në Bashkinë e Prrenjasit/ 100 milionë lekë për të blerë me tender makineri të shkatërruara!

Fiks Fare denoncoi mbrëmjen e së mërkurës procedurat e një tenderi të realizuar nga Bashkia e Prrenjasit për të blerë disa makineri, me vlerë rreth 100 milionë lekë të vjetra. Por, pas vetëm 6 muajsh nga kjo blerje, disa makineri kanë dalë jashtë përdorimit. Emisioni investigativ siguroi disa dokumente të kësaj bashkie, të shpallur në Agjencinë e Prokurimit Publik në muajin nëntor të vitit 2019.
Objekti i prokurimit ishte blerje makineri për nevojat e bashkisë. Tenderi është zhvilluar në muajin dhjetor 2020 dhe sipas dokumentit po në APP të njoftimit të fituesit, në këtë procedurë kanë marrë pjesë vetëm dy shoqëri, ku vetëm njëra prej tyre ka bërë ofertë ekonomike, ndërkohë tjetra nuk ka paraqitur ofertë.
Sipas dokumenteve, firma fituese ka ofruar 98.7 milionë lekë të vjetra për këtë tender, pra vetëm 500 mijë lekë më pak se fondi i akorduar. Në këtë tender nuk ka pasur garë dhe pas disa ditësh, makineritë e vjetra janë dërguar në parkimin e bashkisë së Prrenjasit. Megjithatë, sipas informacioneve që mbërritën në redaksinë e emisionit “Fiks Fare” rezulton se shumica e automjeteve janë të shkatërruara dhe jashtë përdorimit. Bashkëpunëtorët e “Fiks Fare shkuan në parkimin e bashkisë, ku konstatuan pikërisht këto mjete të shkatërruara.
Gazetarët shkuan pikërisht në këtë parkim, ku panë nga afër mjetet e blera, ku dy prej tyre ishin të prishura. Fadroma nuk kishte aksin e parë të gomave, ndërkohë një punonjës tha se mjeti është i prishur prej disa muajsh. Ai tregoi defektet e fadromës, ku pohon se ky mjet ka punuar vetëm 2 ditë. Ai pohon se mjeti ka defekte në një pompë, ku në serbatorin e naftës është futur edhe vaj.
Pak metra më larg, është një Rul i cili ka “zënë bar”. Njëra rrotë e këtij mjeti është e prishur, ndërkohë që pajisjet brenda kabinës nuk janë. Mjeti është i lyer rishtas me bojë të verdhë për tu dukur sa më i ri. Ndërkohë, vetëm dy mjetet e tjera janë në gjendje pune, pavarësisht se janë të vjetra.
Pasi verifikuan gjendjen e mjeteve, Fiks Fare u interesua edhe në Bashkinë e Prrenjasit, për të pyetur se çfarë mjetesh janë blerë, sa ka qenë fondi dhe nëse është bërë apo jo ndonjë tender tjetër. Bashkia e Prrenjasit i kthen përgjigje “Fiks Fare” se tenderi është bërë konform ligjit dhe se janë blerë; fadromë me goma, kamion treaks, Rul me një cilindër vibrimi dhe makinë për sektorin e ndriçimit. Sipas saj, bashkia nuk ka zhvilluar asnjë procedurë konkurrimi për tender për riparimin e tyre, pasi mjetet janë në gjendje pune dhe të kolauduara!
Bashkëlidhur kësaj përgjigje, Bashkia e Prrenjasit i dërgoi emisionit Investigativ edhe deklaratat e punonjësve të saj që kanë firmosur se mjetet kane qenë gjithmonë në gjendje pune. Madje, dërgoi edhe fotografi të këtyre mjeteve në disa punë publike. Por, Fiks Fare bëri një krahasim të fotove që dërgoi bashkia dhe filmimeve të bëra nga kamerat e Fiks Fare. Ndryshimi është i qartë; në fotot e bashkisë mjetet janë në punë. Në pamjet e Fiks Fare, mjetet janë të shkatërruara. Na ka gënjyer ajo që pamë, filmuam, apo dëshmia e vetë punonjësit të bashkisë Prrenjas që tha se këto mjete kanë punuar vetëm 2 ditë?