Trend i frikshëm në rritje, mesatare javore mbi 90 raste pozitive me Covid-19 në vendin tonë

Në njoftimin e sotëm të Ministrisë së Shëndetësisë për bilancin e 24 orëve të fundit, Dr. Eugena Tomini e Institutit të Shëndetit Publik tha se situata vijon të jetë serioze.
Ajo zbuloi se gjatë javës që lamë pas, kishim një trend në rritje të rasteve të konfirmuara pozitive me Covid19, me një mesatare javore rreth 90 raste.
Një trend në rritje janë edhe rastet që janë shtruar në spital apo që kanë kërkuar trajtim në terapi intensive, bëri me dije ajo.
“Të gjithë këta indikatorë tregojnë që virusi do të vijojë transmetimin e tij nëse qytetarët nuk ndërgjegjësohen për të respektuar rregullat e vendosura, për të mbajtur maskën detyrimisht në ambientet e mbyllura, për të ruajtur distancimin social, dhe bizneset duke zbatuar protokollet e miratuara,” u shpreh Tomini.
Ministria e Shëndetësisë ju drejtohet të gjithë qytetarëve të zbatojnë vendimin e qeverisë për mbajtjen e detyrueshme të maskës në ambientet e mbyllura dhe kudo nuk është e mundur të ruhet distanca fizike.
Çdo shkelje e këtij vendimi është i ndëshkueshëm dhe do të konsiderohet rrezik për jetën e qytetarëve të tjerë.