Von Cramon mohon kategorikisht ndërhyrjen tek Specialja për Hashim Thaçin

Një ditë pas përfundimit të intervistimit të Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, nga Gjykata Speciale lidhur me akuzat për krime lufte, në Hagë ka zhvilluar një vizitë zyrtare edhe Viola Von Cramon, raportuese për Kosovën në Parlamentin e Evropës.
Por kjo vizitë e saj duket se nuk u prit mirë, teksa ngjalli shumë kritika në Kosovë, duke aluduar për ndërhyrje në drejtësi.
Por këto aludime janë mohuar kategorikisht nga Cramon, e cila në një intervistë për Klan Kosova, theksoi se nuk ka ndërhyrë dhe nuk do ta bënte kurrë.
“Në asnjë mënyrë, në asnjë mënyrë! Kurrë nuk kam ndërhyrë dhe nuk do ta bëja një gjë të tillë.
Askush nga ne në PE nuk do të ndërhynte në ndonjë veprim të gjyqësorit.
Ata janë krejt të pavarur dhe nuk të lejojnë të bësh asnjë ndërhyrje për rastet që kanë në shqyrtim”.
Ajo shprehet se Specialja është strukturë e rëndësishme për Kosovën dhe është detyrë e saj që të informohet me punën e tij.
“Ishte arsyeja kyçe e vizitës sime. Isha e interesuar të di sesi është strukturimi dhe pse ka marrë aq shumë kohë”, tha ajo.