Zylfie Haklaj shpërthen pas raportit të SHISH: Shpifje e spiunëve të Berishës. Fatmiri s’është betuar kurrës se do vriste Azem Hajdarin

Zylfie Haklaj reagon pas publikimit në media të një dokumenti të SHISH ku shkruhej se Fatmir Haklaj ishte betuar se për vrasjen e njerëzve të tij do të ekzekutonte 18 persona, mes tyre dhe deputetin Azem Hajdari.
“Shota e Haklajve” thotë se i vëllai, Fatmiri, kurrë nuk kishte bërë një betim të tillë për të vrarë Azem Hajdarin, siç shkruhej në raportin e SHISH, dhe i quan ato shpifje të spiunëve të ish-kryeministrit Sali Berisha.
“Ne si familje nuk e dimë një gjë të tillë, kemi prova e fakte që Fatmir Haklaj kurrë nuk e ka bërë një betim të tillë. Kërkojmë dëshminë që SHIK-u bazohet ose do t’i drejtohem drejtësisë. Këtu lind pyetja a janë të gjithë njerëzit e barabartë përpara ligjit? A është e barabartë jeta e çdo qytetari, i veshur apo jo me pushtet? Deri kur do të vazhdohet kështu? Duke bërë dallime mes njerëzish, edhe pas gati 30 vitesh nuk ka drejtësi për shumë e shumë shqiptarë ndërsa për disa edhe pas 22 vitesh vazhdojnë supozime, halucinacione si skizofrenë duke bërë lloj lloj shpifjesh të ndryshme. Boll më me shpifje e spiunazhe të spiunëve të Salihit të trashëguar nga e kaluara e tij e ndyrë”, shkruan Zylfie Haklaj.
Më poshtë përmbajtja e plotë e raportit të SHIK:
SEKRET
Kopje Nr. 1
Tiranë, më 16.05.1998
Republika e Shqipërisë
Shërbimi Informativ Kombëtar
Lënda: Për Fatmir Haklaj
Ministrit të Rendit Publik, Zotit Perikli Teta
Tiranë
Në bazë të një informacioni që disponojmë, ish-shefi i Komisariatit të Tropojës, Fatmir Haklaj, ndër të tjera është shprehur:
“… Njerëzit e mi që janë vrarë kanë marrë gjithsej 18 plumba. Në bazë të kanunit ne do të vrasim 18 vetë. Deri tani kemi vrarë 9 vetë, kemi për të vrarë edhe 9 të tjerë, në mes të tyre edhe Azem Hajdarin. Ne i kemi dërguar fjalë nëpërmjet lidhjeve të tij, disa herë i kemi dërguar telegrame për raste vdekjesh për të ardhur në Tropojë, me qëllim për ta vrarë, por ai nuk ka ardhur. Pasi të vrasim Azemin ne do të ikim në Belgjikë.
Kryetari i Shërbimit Informativ Kombëtar
Fatos Klosi
(firma, vula)